Shqipëria miraton rezolutën për Kosovën

Kuvendi i Shqipërisë e ka miratuar rezolutën në mbështetje të Kosovës pas sulmit agresionit të Serbisë në Banjskë të Zveçanit.

Rezoluta u miratua me 106 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe me një abstenim.

Kryetarja e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli, tha se Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë përherë me Kosovën, në ditë të mira dhe në kohë të vështira.

“Kosova mbetet projekti i madh strategjik i Shqipërisë dhe po aq mbetet projekti i madh sovraniteti dhe integriteti territorial i saj,”, tha ajo.

Edhe pse u dakordësua me mazhorancën socialiste për të dalë me një draft të përbashkët për Kosovën, Sali Berisha nuk i ndali akuzat ndaj kryeministrit Rama, shkruan Euronews Albania.

“Unë garantoj shqiptarët se Rama vazhdon si argat i Vuçiçit çdo ditë dhe çdo javë e muaj përpjekje për zbatimin e projektit të tyre të ndarjes së Kosovës. Ata kanë një qëllim dhe vetëm një qëllim, ndarjen e Kosovës sipas oreksit serb,” – tha Berisha.

Partia Demokratike zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha e kundërshtoi draftin e punuar mes Partisë Socialiste dhe grupit parlamentar demokrat, të drejtuar nga Gazment Bardhi, duke sjell në Kuvend 3 amendamente nga deputeti Kreshnik Çollaku.

 “Ky tekst me 3 fjali që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë i përgjigjet aktit më të rëndë pas luftërave në Ballkan, një agresioni ushtarak ndaj veriut të Kosovës është një tekst që mua më turpëron. Ky është një tekst i cili mungon të përcjellë zërin e Shqipërisë në mbështetje të Kosovës,” – deklaroi Çollaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *