Shqipëria i kërkon Kosovës që t’i dëgjojë rekomandimet e SHBA-së dhe BE-së

Përveç në gjuhet e huaja, edhe në gjuhen shqipe Kosovës i është kërkuar që ti dëgjojë rekomandimet e SHBA-së dhe BE-së në procesin e dialogut me Serbinë.

Në mënyrë vëllazërore institucionet e Shqipërisë njëzëri i kanë kërkuar lidershipit të Kosovës që të heq dorë nga qasje që dërgon në përplasen me aleatët strategjik perëndimor.

Presidenti dhe kryeministri i Shqipërisë kanë vlerësuar se Kosova ka nevojë për miq dhe mbështetje.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka thënë se për Kosovën është më se e nevojshme që të jetë bashkëpunuese me aleatët.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Begaj ka thënë se Kosova nuk ka nevojë për vetëizolim.

“Ne nuk kemi nevojë për vetëizolim, ne kemi nevojë për miq, për mbështetje. Kështu që duhet patjetër që çdo rekomandim i dhënë nga aleati ynë strategjik duhet të dëgjohet. Duhet të dëgjohet më së tepërmi nga politikanët e Kosovës, ata të cilët janë vendimmarrësit për këtë gjë. Do të këshilloja që, të gjithë politikanët e Kosovës, të gjithë shqiptarët, duhet të kuptojnë që ne kemi vetëm një busull, ajo busull duhet të na orientojë drejt rrugëtimit euroatlantik.”, ka thënë Begaj.

Shefi i shtetit shqiptar i ka dhënë mbështetje dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, i cili është lehtësuar nga BE-ja dhe ShBA-ja.

“Për të ardhur në situatën e tanishme, Shqipëria dhe unë në fjalën time dje në OKB, mbështesim fuqimisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, dialog i cili është i lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe i mbështetur fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që janë partneri dhe aleati ynë strategjik.”, ka thënë Begaj ndër të tjera.

Sipas tij, mbështetja e Kosovës është domosdoshmëri.

Të njëjtin mesazh ka përcjell edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Në një intervistë për “Real Story” në ABC Neës, ai ka kritikua kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtit për sjelljen e tij në raport me ndërkombëtarët.

Ai ka vlerësuar se Kurtit po i mungon qartësia strategjike dhe se politika dritëshkurtër e Prishtinës po e ndihmon Beogradin.

Rama ka thënë se kritikat dhe akuzat e Kurtit ndaj Lajçakut të lënë pa tekst dhe e demtojnë Kosovën.

“Janë gjëra që të lënë pa tekst dhe janë gjëra që dëmtojnë edhe më shumë atë që pretendohet se po përpiqen të riparojnë, sepse të ngresh një teori konspiracioni për një bashkëpunim që e zbulove mes Serbisë dhe të dërguarit special të gjithë BE nuk është diçka e këshillueshme për t’u bërë. Po e përsëris, unë nuk dyshoj në dëshirën e madhe dhe të mirë të Albinit për të bërë më të mirën për Kosovën, por dëshira e madhe dhe vullneti i mirë nuk mjaftojnë asnjëherë. Duhet qartësia strategjike, për të arritur qëllimin, gjë që nuk e shoh”, është shprehur Rama.

Rama e këshillon Kurtin për zbatim të planit BE-së.

“Është gjëja më e lehtë, që të tërheqësh opinionin publik pas vetes, duke marrë poza, kundërshtie dhe deri armiqësie ndaj atyre që janë të identifikuar si burimi i një të keqe të madhe që i ka ndodhur Kosovës në të shkuarën jo shumë të largët, por pyetja këtu është çfarë sjell kjo? Sjell më shumë vota në Kosovë? Mbase. I sjell ato vota për një kohë të gjatë? Nuk besoj, por e sigurt është që nuk sjell rezultatin e dëshiruar për Kosovën që është përfundimi i një procesi normalizimi dhe pastaj i çlirimit të gjithë ngërçit të njohjeve në radhë të parë brenda vendeve të BE. Sepse ky është edhe synimi i planit franko gjerman dhe kjo duhet të ishte arritje më e madhe e mundshme, që do të ishte një njohje defacto edhe e Serbisë, pavarësisht se do ta njihje apo jo formalisht Serbia Kosovën”, ka deklaruar Rama.

Këshillat e Shqipërisë janë vëllazërore

Analisti politik, Mentor Nazarko, ka komentuar këshillat e liderëve institucionalë të Shqipërisë për lidershipin kosovarë.

Ai ka thënë se ato janë këshilla vëllazërore të cilat duhet të dëgjohen.

Sipas tij, Qeveria Kurti nuk duhet të presë reagim nga presidenti amerikan, Joe Biden, për ta ndryshuar qëndrimin në dialog me Serbinë.

“Kjo është dëshmia e radhës, shpresoj që të mos jetë e fundit si dëshmi angazhimi e Shqipërisë që Kosovës t’i vijnë mesazhet që perëndimi prej shumë kohësh po ia jep në gjuhë të tjera të BE-së, por po ia jep edhe në shqip – ia ka dhënë përmes kryeministrit Rama dhe presidentit Begaj”, ka thënë Nazarko në Emisionin Special të Klan Kosova.

Ai ka treguar se Shqipëria po i jep këto këshilla sepse i janë kërkua nda aleatët.

“Në qoftë se ai [Begaj] sot ka vendosur që të flasë publikisht, kjo është për shkak se [A] situata është shumë urgjente [B] sepse ia kanë kërkuar miqtë perëndimorë dhe kur të gjithë krerët e institucioneve të Shqipërisë flasin me një zë publikisht – me një zë me perëndimin, atëherë kjo është një situatë alarmi jo vetëm për Qeverinë e Kosovës, por për të gjithë opinionbërësit, gjithë vendimmarrësit, të gjithë krahëve qofshin edhe të opozitës që situata duhet të ndryshojë rrënjësisht”, ka shtuar ai.

Sipas tij vendet e vogla duhet t`i degjojnë këshillat e partnereve të mëdhenj.

“Nuk besoj që kemi arritur në angazhimin presidencial, por për vendet tona të vogla qoftë Shqipëria apo Kosova edhe angazhimi i Escobarit mjafton, nuk duhet të jemi kaq grandoman që të presim të na drejtohet Biden që të ndryshojmë qëndrim”, ka thënë Nazarko

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *