Një ngjarje e trishtë ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Hys Popova” në Prishtinë, ku pesë persona dyshohet se e kanë dhunuar një vajzë të moshës 11-vjeçare në disa lokacione, mëson Gazeta Sinjali. Burimet nga Prokuroria thonë se tmerrin që ka përjetuar e mitura e ka denoncuar në Polici bashkë me nënën e saj.
Siç mëson Sinjali, për këtë rast të tmerrshëm tashmë kanë rënë në prangat e Policisë dy nga personat e dyshuar, të cilët janë kapur në rrugën “Jetullah Islami” në Prishtinë.
Si përfundoi e mitura në duart e pesë personave, në mesin e të cilëve edhe të mitur
Bazuar në dëshminë e nënës së saj, e cila e denoncoi rastin në Polici, thuhet se vajza kishte dalë nga shtëpia, të shtunën në orët e mbrëmjes dhe nuk ka pasur asnjë informacion për fatin e saj. Ajo u trondit, kur pas mesnate, vajza u gjet dhe në gjendje të keqe emocionale rrëfeu se çfarë i kishte ndodhur.
Para hetuesve dhe zyrtarëve për punë sociale, 11-vjeçarja ka treguar se e kanë dhunuar pesë persona, në disa lokacione të ndryshme, teksa ende nuk dihen detajet të reja.
Burimet thonë se dy personat që u arrestuan janë një 26-vjeçar dhe një 16-vjeçar (emra të njohur për redaksinë), të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.