I ashtuquajturi drejtor i një zyreje të vetëquajtur “për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, dje njoftoi pas takimit trilateral në nivel kryenegociatorësh se është arritur pajtim për deklaratën e përbashkët rreth Personave të Pagjetur. Ai ka treguar se është shmangur termi “të zhdukurit me dhunë”.
Kështu, Qeveria e Albin Kurtit duket se ka filluar ta implementojë “tejkalimin e së kaluarës”, pasi që u pajtua që mijëra shqiptarë të zhdukur mos të trajtohen si të zhdukur me dhunë, shkruan Demokracia.com.
Albin Kurti, i cili shpesh e viziton nënën Ferdonije Qerkezi nga Gjakova do të pajtohet që 4 djemtë e nënë Ferdonijes nuk janë zhdukur me dhunë.
Deklarata është përcaktuar dhe se ajo do të miratohet në Nivelin e Lartë, përkatësisht mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tregoi ai.
Një gjë që Serbia e ka shmangur, siç tregon ai, është termi “të zhdukurit me dhunë”, formulim ky që ka qenë më i patejkalueshmi në procesin e dialogut.
“Kjo është e rëndësishme për shkak të familjeve të të gjithë atyre që janë ende të zhdukur. Do të shtoja vetëm se kemi pasur kujdes të veçantë për të gjitha kushtet dhe se nuk e kemi pranuar termin ‘zhdukje me dhunë’, sepse jemi kujdesur që të mos rrezikojmë interesat e shtetit të Serbisë”, thotë Petkoviq.
Kujtojmë se në një konferencë për media, të mbajtur më 20 korrik të vitit të kaluar, kryeministri Albin Kurti thoshte se Beogradi zyrtar këmbëngul që të zhdukurit në luftë të quhen vetëm “persona të zhdukur” dhe se ai nuk pajtohet me këtë term.
“Beogradi zyrtar insiston të quhen vetëm persona të pagjetur, ne insistojmë të theksohet se kjo është bërë me forcë, është bërë me dhunë. Sepse, ata nuk janë persona të pagjetur si shkak i fatkeqësive natyrore, por ne kemi familjarë që e dinë se personi i caktuar i uniformuar ose jo ua mori djalin ose vajzën. Pra, bëhet fjalë për rrëmbime, të cilët janë bërë me dhunë. Insistimi ynë është që të theksohet edhe kjo”, thoshte Kurti.
Sipas autoriteteve në Kosovë, të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë vazhdojnë të jenë edhe 1,639 persona, kryesisht shqiptarë.