Pak më parë u raportua për një rast të rëndë që ka ndodhur sot rreth orës 17:00 në lagjen Dardania në Prizren, ku tre zyrtarë policorë të Njësisë së Reagimit të Shpejtë janë therur me thikë nga një qytetar.
Sinjali mëson se njëri nga policët që ka marrë lëndime më të rënda trupore, është transportuar për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku pritet t’i nënshtrohet ekzaminimit nga kirurgët plastikë për t’i evituar pasojat e mëvonshme nga plagët e marra.
Pjesëtarët e NJRSH-së kishin shkuar të asistojnë një patrullë të Policisë të cilët ishin duke intervenuar në një rast të dhunës në familje. Atje në tentim për të vënë situatën nën kontroll, janë përballur me të dyshuarin i cili ishte mbyllur në dhomë dhe mbante në dorë një mjet të mprehtë.
Me të arritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë tentuar që të pasivizojnë të dyshuarin që ishte i dhunshëm, i cili më pas dyshohet se ka nxjerrë thikën dhe ka sulmuar pjesëtarët e Policisë.
Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili ka bërë të ditur se të tre zyrtarët policorë janë jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe tashmë ndodhet në stacion të Policisë ku pritet të intervistohet.
“Të tretë janë jashtë rrezikut për jetë, por njëri nga ta ka lëndime pak më të rënda dhe është dërgu për Prishtinë në QKUK, njëri është në spital në Prizren dhe njëri është liruar për në shtëpi. I dyshuari është arrestuar dhe është në stacion policor. Jemi në koordinim me prokurorin për procedura tjera”, tha ai