Prokuroria Themelore në Pejë ka nisur hetimet për një rast të dhunës në familje që dyshohet se ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në fshatin Kashicë të komunës së Istogut.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se rastin e ka denoncuar një 33-vjeçare, e cila ka deklaruar se tash e 15-vite martesë ajo keqtrajtohet nga bashkëshorti i saj.
Sipas 33-vjeçares, bashkëshorti i saj vazhdimisht ka ushtruar dhunë psikike, fizike e seksuale ndaj saj, me pretekstin se ajo nuk ka sjellje të mirë me prindërit e të dyshuarit.
Rasti i fundit ka ndodhur mbrëmë, kur gruaja ishte kthyer nga vizita në familjen e saj e shoqëruar nga vëllai, por që me të arritur në shtëpi nuk ishte lënë të hynte brenda nga bashkëshorti i saj.
I dyshuari i ishte drejtuar 33-vjeçares me fjalët ‘shko ku je kanë deri tash’, duke bërë kështu që ajo të kthehet sërish në shtëpinë e prindërve të saj si dhe rastin ta paraqesë në Polici.
Njësitet policore kanë arrestuar personin e dyshuar dhe ai është dërguar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.