Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që aktualisht drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz është gjobitur me 13 mijë euro, meqë nuk ua ka dhënë mediave të dhënat për shpenzimet për karburante të diplomatit, burrit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut.
Kërkesa e mediumit “Insajderi” kishte qenë që t’iu jepej qasje në dokumenta pulbike për të ditur shpenzimet për karburante të diplomatit Sadriu nga shkurti 2019 deri në shkurtin 2022. Nga AIP kanë treguar se MPJ ka refuzuar t’i japë këto shpenzime për mediumin në fjalë edhe përkundër paralajmërimeve.
Por Sadriu përmes një letre që ishte publikuar në media kishte kërkuar në mars të vitit 2020 që t’i mundësohej shfrytëzimi i karburantit përmes procedurave të Ambasadës së Kosovës në Shkup derisa ky i fundit të gjejë banesë për qëndrim në Shkup.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme një kërkesë të tillë e kishin cilësuar si të bazuar meqë procedura për gjetjen e një banese merr kohë.