Shitja e dronëve “Bayraktar” për Kosovën, Vuçiq paralajmëron Erdoganin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se furnizimi i Kosovës me dronët turq “Bayraktar” do të ndikojë në marrëdhëniet e Beogradit dhe Ankarasë.

Vuçiqi, mes tjerash, tha se për Serbinë nuk është aspak lajm i këndshëm ky furnizim.

Kur turqit thonë se do t’ia japin ‘Bayraktarin’ Prishtinës, ky nuk është lajm as i këndshëm dhe as i mirë për ne dhe do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona me Turqinë. Ne e respektojmë Presidentin Erdogan, por kjo padyshim që do të ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve”, tha Vuçiqi për televizionin “Pink” nga Azerbajxhani ku ndodhet në një vizitë zyrtare.

Presidenti serb foli edhe për ligjin ndërkombëtar rreth armatosjes së një shteti, duke thënë se këtë të drejtë nuk e ka Kosova pasi, sipas tij, nuk është shtet.

“Turqia sipas ligjit ndërkombëtar nuk ka të drejtë të armatosë dikë që nuk ka të drejtë të ketë ushtri, si Kosova”, tha Vuçiq, transmeton Klankosova.

Ai tha se armatimi i forcave të armatosura të Serbisë do të jetë përgjigja për çdo kërcënim.

“Ne duhet të forcojmë mbrojtjen tonë kundërajrore me mjete moderne, të forcojmë forcën tonë ajrore. […] Nga maji do të mund të flasim për furnizimin e një numri të konsiderueshëm të dronëve kamikazë dhe avionëve të tjerë pa pilotë. Nëse nuk pajisemi siç duhet, do të na gëlltisin si macja miun”.

Kujtojmë se ky deklarim i Vuçiqit vjen pasi gjatë ditës së djeshme, ministri i Zhvillimit Rajonal të Kosovës, Fikrim Damka, deklaroi se Kosova po zhvillon punën rreth blerjes së dronëve “Bayraktar”.

Damka për agjencinë turke të lajmeve “Anadolu” ka thënë se Qeveria e Kosovës ka prioritet blerjen e dronit turk dhe se tashmë janë duke u zhvilluar kontaktet me Ankaranë për blerjen e sistemit specifik të armëve.

“Sigurisht që çështja e dronëve me armë është edhe në agjendën tonë. Lidhur me këtë shteti ynë zhvillon punime çdo herë. Janë realizuar vizita. Presidentja jonë dhe ministri i Mbrojtjes i kanë vizituar dronët ‘Bayraktar’ në vend. Ky është proces afatgjatë. Çdo shtet dëshiron të ketë dronët në shtëpinë, në magazinën e arsenalit të tij ushtarak”, tha Damka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *