Rreth 10 persona mendohet të jenë nën rrënoja pas një shpërthimi që shkaktoi shembjen e dy ndërtesave të banimit në qytetin jugor francez të Marsejit të dielën, tha ministri i Brendshëm Gerald Darmanin.
Nuk dihet ende shkaku i shpërthimit.
Shembja shkaktoi një zjarr që ndërlikoi përpjekjet e shpëtimit dhe që Darmanin tha se mund të duhen orë të tëra për ta shuar. Ai tha se autoritetet vlerësuan se ishin nga katër deri në 10 persona nën rrënoja.
Pesë persona u dërguan në spital me lëndime të rënda, por jo të rrezikshme për jetën dhe një person i gjashtë po trajtohej për tronditje, shtoi ai, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Një ndërtesë e tretë është shembur pjesërisht dhe njerëzit janë evakuuar nga rreth 30 ndërtesa në zonë.
Objektet që u shembën në Rue de Tivoli nuk dihej se kishin ndonjë problem strukturor, tha Darmanin.
“Mendimet tona janë me Marsejin”, tha presidenti Emmanuel Macron në një mesazh në Twitter, transmeton Klankosova.tv.