ShBA sërish i kërkon Kosovës themelimin e Asociacionit

Kanë qenë të shpeshta kohëve të fundit dhe tashmë thuajse janë bërë të përditshme. Kërkesat e amerikanëve për krijimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sa vijnë e shtohen.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price ka ripërsëritur faktin se Kosova duhet të përmbushë përgjegjësitë e saj, duke përmendur këtu eksplicit themelimin e Asociacionit.

“Ne kërkojmë nga palët që të përmbushin përgjegjësitë e tyre. Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet të cilat tashmë i kanë nënshkruar përmes procesit të dialogut duke përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe”, u shpreh ai.

Ndërkohë, edhe këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Përmes një postimi  në Twitter, ai tha se ka biseduar me Kurtin për këtë çështje të martën.

“Një temë kyçe ka qenë partneriteti ynë dhe synimi i përbashkët për avancimin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Ai tha se me Kurtin ka biseduar edhe për çuarjen përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *