John Kirby, kreu i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, tha sot se çdo diskutim nëse është koha e duhur për të negociuar me presidentin rus Vladimir Putin për përfundimin e luftës në Ukrainë, duhet t’i lihet presidentit Zelensky, jo SHBA-së.
Por ai menjëherë shtoi se “vlerësimet fillestare se lufta mund të përfundojë deri në fund të vitit tani nuk duken të mundshme”.
“Ne do të dëshironim që lufta të përfundojë, nëse jo sot, atëherë para fundit të këtij viti, i cili, natyrisht, po afrohet shpejt. Megjithatë, duke pasur parasysh atë që shohim në terren në Ukrainë, është e vështirë të konkludohet se lufta do të përfundojë deri në fund të vitit”, tha Kirby për CNN.
“Ka ende beteja të përgjakshme në Donbas, veçanërisht rreth Bakhmut. Është një zonë relativisht e vogël, veçanërisht nëse e krahasojmë me disa nga betejat e tjera në Ukrainë gjatë nëntë muajve të fundit, por luftimet janë shumë intensive. Sa për në jug, rusët janë në mbrojtje, ndërsa ukrainasit vazhdojnë të bëjnë presion. Shkurt, luftimet aktive po zhvillohen tani dhe ne presim që ato të vazhdojnë për ca kohë,” tha ai.
Kirby shtoi se ndërsa analistët ushtarakë sugjerojnë se dimri mund të “ngrijë” konfliktin për një kohë, SHBA “nuk presin që luftimet të ndalen plotësisht në muajt e dimrit”.
“Asgjë nuk sugjeron dhe ne nuk presim që lufta të përfundojë deri në fund të vitit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk e duam atë, por nuk ka asgjë për të sugjeruar këtë,” tha ai./kosovapress/