Serbia ia ndalon Kosovës pjesëmarrjen në Evropianin e Pingpongut

Pingpongistët kosovarë nuk kanë mundur të marrin pjesë në Kampionatin Evropian U-21, që u mbajt në Serbi.

Shkak për këtë, u bë shteti serb, që ia ndaloi sportistëve kosovarë një gjë të tillë.

Për këtë bllokadë, që iu bë, reaguan edhe Komiteti Olimpik i Kosovës, por edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Më parë, pengesa të tilla kishin pasur edhe Federata e Karatesë e ajo e Boksit.

Në një konferencë për media, Çeku tha se sa më shumë suksese që po i arrin Kosova në ndërkombëtarizimin e sportit, aq më të mëdha po bëhen bllokadat nga shteti serb dhe se kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve.

“Sa më shumë që bën Kosova në raport me ndërkombëtarizimin dhe me sukses ndërkombëtar në sport, aq më të mëdha janë bllokadat nga shteti i Serbisë. Kemi një sjellje destruktive përsëri nga shteti i Serbisë, kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportivstëve, është shkelje e rëndë e të gjitha të drejtave ndërkombëtare të sportit. Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë ne jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante evropiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatërse ndërkombëtare”, ka thënë Çeku.

I pari i MKRS-së shtoi se në konsultim dhe harmoni me instancat e tjera sportive, ndaj Serbisë do të vazhdojë beteja ligjore edhe në instancat ndërkombëtare sepse ky shtet tashmë është shndërruar në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve të Kosovës.

“Deri në këtë moment, Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në komisionin disiplinorë të Federatës Evropiane të Pingpongut. Ky është hapi i parë por jemi në koordinim edhe me federatën përkatëse dhe me Komitetin Olimpik të Kosovës që beteja jonë ligjore me Serbinë të vazhdojë edhe në instanca të tjera ndërkombëtare dhe ne si institucione duke respektuar në plotëni autonominë sportive do të jemi mbështetëse për organizatat tona sportive që t’i adresojmë në rrugë ligjore, ndërkombëtare këto shkelje te shtetit të Serbisë në raport me sportistët e Kosovës sepse Serbia është shndërrua në një recidivist në raport me shkeljen e të drejtave të sportistëve tanë.”, theksoi Çeku.

Në këtë konferencë, i pari i MKRS-së gjithashtu bëri të ditur se që nga sot, Komiteti Paralimpik i Kosovës është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar.

“Komiteti Paralimpik i Kosovës është anëtarësuar në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar. Edhe një arritje shumë e rëndësishme në ndërkombëtarizimin e sportit të Kosovës. Shfrytëzoj rastin që ta uroj Komitetin Paralimpik, lëvizjen paralimpike të Kosovës, të gjithë sportistët paralimpik të cilët tani e tutje do ta kenë edhe një mundësi shtesë të pjesëmarrjes në garat ndërkombëtare. Me këtë anëtarësim, sportit të personave me aftësi të kufizuara i është hapur rruga dhe mundësia për të marr pjesë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, tha Çeku.

Kjo nuk është hera e parë që Serbia ndalon sportistët kosovarë të marrin pjesë në garat që zhvillohen atje. Kujtojmë që ekipi i boksit nuk u lejua të futej në Serbi për të garuar në Kampionatin Botëror të boksit, çka ngjalli reagim edhe nga institucionet ndërkombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *