Serbia aktivizon avionët MiG-29 për t’i luftuar dronët e Kosovës 


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lëshoi një urdhër zyrtar të martën, me të cilin kërkoi që të asgjësohen të gjithë dronët e kualifikuar nga ai si “armiqësorë”, e që futen në territorin e Serbisë.

Veçernje Novosti” raportoi se Vuçiqi vendosi të marrë hapa pas një incidenti në zonën mbi Merdar në kufi me Kosovën dhe në afërsi të Rashkës.

Sipas mediave serbe, dronë të panjohur kanë vëzhguar kazermat dhe pozicionet e ushtrisë së Serbisë. E, pas kësaj, sipas raportimeve, Vuçiq ka vendosur të ngrejë në qiell aeroplanët MiG-29, “për të vëzhguar territorin dhe për të intervenuar në rast të ndonjë sulmi”.

Por, para se në Serbi të flitej për incidentin, ministri i Mbrojtjes i këtij shteti vizitoi bazën e ushtrisë në Rashkë, qytetin më të afërt me Kosovën. Ai tha se me urdhër të presidentit Vuçiqit, Ushtria e Serbisë është ngritur në “nivel gatishmërie” për shkak të situatës në Kosovë.

“Ushtria e Serbisë është e gatshme të zbatojë çfarëdo vendimi nga Vuçiqi, si komandant suprem, për t’i mbrojtur të gjithë qytetarët e Serbisë, përfshirë serbët në Kosovë dhe askush nuk duhet të dyshojë në këtë”, tha ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Milosh Vuçeviq.

Kërcënimet janë dhënë ditën kur Kosova ka nisur shkallën e parë të sanksionimit të vozitësve të veturave me targa ilegale të lëshuara nga Serbia dhe të cilët ende nuk i kanë kthyer në RKS.

Në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës nuk komentuan kërcënimin ushtarak të fqinjit verior dhe thanë të mos jenë në dijeni për ndonjë incident me dronët.

Vitin e shkuar, Qeveria miratoi blerjen e katër dronëve amerikanë për nevoja të ngritjes së kapaciteteve për inteligjencë, vëzhgim dhe zbulim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *