Serbët ia vranë djalin, burrin dhe tre vëllezërit, nëna rrëfen tmerrin që ndodhi në Mejë

Dielli ka ndriçuar përmendoren e djalit të saj të vrarë, teksa pa ndalim lëmon faqet e tij.

Ajo po heq mallin e Samiut përmes fotografisë aty, të cilit ia këputen rininë në moshën 20-vjeçare.

E moshuara nga fshati Brovinë, ka marrë ulësen me vete për të qëndruar me orë në afërsi, ku prehet trupi i më të dashurit të saj.

Mezi iu bën bashkë edhe eshtrat, pas masakrës së Mejës ku të njëjtin fat e patën edhe 376 të tjerë.Mosha e mërzia nuk ia kanë shlyer kujtimet e tmerrshme të kësaj masakre.

Nënë Tixhja nga fshati Brovinë e Gjakovës, jeton me dhimbjen për djalin e saj, të cilin ia morën nga jeta paramilitarët serbë.

” I djalit tim është (varri) që ma kanë vrarë këtu në Mejë, sot 22-23 vjet. Ne kështu të mërzitura cdoherë. Çfarë të bëjmë…. Atëherë na qiten shkijet neve, këta i ndalen këtu, duart për mbrapa, e gjunjtë në tokë. Qaty i kemi lënë, nuk kemi guxuar me i ndal, sa atje i kemi dëgjuar krismat që i kanë vrarë aty. Tani na kanë mërthyer për Shqipëri, jemi shkuar për Prizren edhe atje patën me na vra shkijet, duke na i vendosur thikat në fyt, duke na kërkua pare, menzi jemi dalë në Shqipëri për Shqipëri”, tha ajo

.Ajo shtoi se po e ka të vështirë të jetojë me këtë dhimbje, por për ta ndryshuar këtë nuk ka mundësi.

“Vallahi po, vdekjen e djalit, të burrit, tre vëllezërve, qaty. Çka të bëjmë? Po u dashke me jetu, me qëndru, e tona me i bo”, shtoi ajo.

Në 24 vjetorin e kësaj masakre, pranë shumë varreve në Mejë, janë kujtuar edhe prindërit që lanë fëmijët me dhimbje. Mire Ndreca tregon për KosovaPress, për nënën e saj të vrarë në 27 prillin e vitit 1999.

“Se harrojmë kurrë, është ditë e paharrueshme kjo ditë. Vet të vjen merzia, kur t’i kujtojmë se si kanë shkuar. Na i kanë mbyt, na i kanë dërguar në Serbi dhe i kanë sjell pasi janë rivarrosur… Tmerr e kemi kaluar boll, nëpërmjet TV e radiove, pa e ditur, të gjithë duke ikur”, rrëfeu ajo

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *