SBASHK ka thënë se 7 marsi po i gjen me sfida, pakënaqësi dhe shumë halle.
“Në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal e të universiteteve do të duhej të mbretëronte atmosferë festive dhe të flitej me krenari për angazhimet e Qeverisë në shërbim të arsimit e punëtorëve arsimor , që nga çerdhet e deri në universitet dhe për dialogun e sinqertë për të gjitha sfidat e shqetësimet . Por kjo atmosferë mungoi sepse dialogu me fajin pushtetarëve vazhdon të mungojë. Ata vazhdojnë të sjellin vendime e të bëjnë veprime të dëmshme kokë me vete e pa u ulur e konsultuar me palët tjera. Kështu do të bëhet dhe pikë, vazhdojnë të deklarohen qeveritarët dhe ashtu edhe bëjnë.”
SBASHK ka thënë se kërkuan që vlera e koeficientit të jetë së paku 130 euro por nga Qeveria vendosën që të jetë 110 euro dhe sipas tyre pagat janë rritur për 28 euro.
“SBASHK-u në emër të punëtorëve arsimor kërkojë përmes shkresave që vlera e koeficientit të mos jetë ajo e paralajmëruara që në vitin e kaluar nga ministri Murati, po të jetë se paku 130 euro, por Qeveria nuk qau kokën për këtë kërkesë tonën dhe të sindikatave tjera, por vendosi për vlerën 110 duke bërë një ngritje ironike të pagës në arsim prej vetëm 28 euro dhe kjo shtoi edhe më pakënaqësitë e të punësuarve në këtë sektor dhe jo vetëm.”
Sindikata ka përmendur edhe ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti.
“Qeveria , pa u konsultuar me palët tjera , vendosi edhe për ndryshimet në Ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe si për inat angazhohet të mohojë të drejtat e fituara të punëtorëve të arsimit dhe kështu, në vend që t’ua lehtësojë jetën pak pikërisht kur u duhet, pra me rastin e pensionimit, Qeveria ua vështirëson edhe më jetën atyre që me vite e dekada punuan në arsim sepse do të marrin pensione me të ulëta nga ato që ua garantonte ligji dikur.”
SBASHK ka thënë se Qeveria nuk e ka bërë as ligjin për sigurime shëndetësore.
“Qeveria nuk e bëri as Ligjin për sigurime shëndetësore e as nuk bëri ndonjë angazhim lidhur me kushtet e punës në shkolla. Nxënësit dhe mësuesit garën për dije në shekullin 21 vazhdojnë ta bëjnë me shkumës e shpuzë . Ata duan, por me këto kushte e me këtë qasje të Qeverisë ndaj arsimit, suksese të larta e të dëshiruara nga të gjithë ne nuk mund të arrihen. Dita e mësuesit dhe shkollës shqipe po vjen, por ajo po na gjen me sfida, pakënaqësi e halle shumë.”