Samiti i liderëve evropianë në Spanjë, në fokus edhe agresioni i Serbisë kundër Kosovës – Osmani e Vuçiq të pranishëm

Samiti i tretë i komunitetit politik evropian ka mbledhur sot liderët e 47 vendeve evropiane në qytetin spanjoll të Granadës dhe një nga temat kryesore do të jetë zgjerimi i Bashkimit Evropian.

Pjesëmarrësit e takimit do të diskutojnë se si ta bëjmë Evropën më elastike, më të begatë dhe gjeostrategjikisht të rëndësishme, njoftoi Këshilli i Bashkimit Evropian.

Në samit ishin të ftuar presidentët e shteteve dhe qeverive të 47 vendeve, si dhe presidentët e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel u tha gazetarëve në Bruksel se zgjerimi i BE-së do të jetë ndër temat kryesore të samitit të Komunitetit Politik Evropian, si dhe samitit jozyrtar të BE-së një ditë më vonë.

Ai tha se situata aktuale në Kosovë do të diskutohet në margjinat e samitit të BE-së, duke paralajmëruar se “dhuna nuk është e pranueshme” dhe se “mosmarrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen si kusht për integrimin në BE”.

Presidentët e Serbisë dhe Kosovës, Aleksandar Vuçiq dhe Vjosa Osmani do të marrin pjesë në samitin e komunitetit politik evropian, ndërsa gazeta britanike The Guardian, duke cituar burime të paidentifikuara, shkruan se ka përpjekje për organizimin e takimit të tyre “megjithë armiqësinë politike mes dy vendet”.

Ndërkaq, kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të mërkurën për një zgjidhje paqësore të situatës në veri të Kosovës.

“Për mua, është shumë e rëndësishme që situata të mos përshkallëzohet më tej kur bëhet fjalë për Serbinë dhe Kosovën. Duam një zgjidhje paqësore dhe për këtë jemi shumë të angazhuar bashkë me Francën dhe Italinë,” tha Scholz në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin bullgar Nikolai Denkov.

Ai shtoi se çështja do të diskutohet gjithashtu të enjten dhe të premten kur krerët nga gati 50 vende evropiane të takohen në Granada të Spanjës.

Presidentja e Kosovës ka udhëtuar dje për në Spanjë. Sipas njoftimit të presidencës, me ftesë të Presidentit të Këshillit të Bashkimi Evropian, Charles Michel dhe Kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, Osmani është nisur dje për në Granada të Spanjës, ku do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e tretë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

“Ky samit do të mbledhë krerë shtetesh nga 47 vende të kontinentit evropian si dhe liderët e institucioneve evropiane, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë në mënyrë që Evropa të jetë më e qëndrueshme, e begatë dhe gjeostrategjike. Krahas pjesëmarrjes në sesionet kryesore të Komunitetit Politik Evropian, Presidentja Osmani do të zhvillojë edhe diskutime me liderë evropianë për t’i informuar lidhur me agresionin e Serbisë kundër Kosovës dhe për të diskutuar thellimin e bashkëpunimit për tejkalimin e sfidave të përbashkëta. Para liderëve evropianë, Presidentja Osmani pritet të përçojë mesazhin e përkushtimit të palëkundur të popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për paqe, stabilitet dhe siguri në vend dhe rajon”, thuhet në njoftim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *