Të hënën në Slloveni u mbajt samiti i 11-të i Brdo-Brijunit, në të cilën u diskutua për situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë Samit u bë thirrje që të përfundojë procesi i liberalizimit të Kosovës dhe qytetarëve të saj t’i hiqet regjimi i vizave.
Po nga ky samit dolën gjashtë konkluzione, ndërkaq presidentja e vendit, Vjosa Osmani propozoi që samiti i ardhshëm të mbahet në Kosovë.
Samiti i Brdo-Brijunit – thirrje për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën
Presidenti i Sllovenisë i cili ishte edhe nikoqir i këtij samiti, Borut Pahor i bëri thirrje Bashkimit Evropian që të përfundojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e gjithashtu t’ia japë statusin e shtetit kandidat Bosnjë-Hercegovinës.
Pas përfundimit të samitit, presidenti slloven Pahor tha se të gjithë të pranishmit ranë dakord për gjashtë konkluzione.
“1.Ritheksojmë rëndësinë e zgjerimit të BE-së si kontributi më i drejtpërdrejtë për ruajtën e paqes dhe stabilitetin në rajon, zgjerimi është më shumë se gjeopolitikë, 2. Ne bëjmë thirrje për një proces më të shpejtë të integrimit në BE, në përputhje me kushtet e njohura për anëtarësim, 3. Ne bëjmë thirrje për dhënien e statusit kandidat për Bosnje dhe Hercegovinë deri në fund të vitit 2022, 4. Ne bëjmë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për të gjithë Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit 2022, 5. I bëjmë thirrje BE-së të qëndrojë në krah të Ballkanit Perëndimor në zbutjen e pasojave të krizës ekomomike dhe energjetike, dhe 6. Ne afirmojmë përkushtimin tonë për dialogun si e vetmja mënyrë për të kapërcyer dallimet dhe çështjet e hapura në rajon.”, ka shkruar Pahor në Twitter.
Osmani propozon që takimi i radhës i Brdo-Brione të mbahet në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani, në takimin e liderëve rajonalë në samitin Brdo Brione në Slloveni, ka deklaruar se Kosova nuk do të heqë kurrë dorë nga aspiratat e saja për anëtarësim në familjen e madhe evropiane, duke thënë se nuk mund të ketë Evropë të lirë e të bashkuar pa Ballkanin Perëndimor si pjesë të saj.
E para e shtetit në fjalimin e saj ka bërë thirrje për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, ndërkohë që kanë kaluar katër vjet nga konfirmimi nga ana e BE-së se janë përmbushur të gjitha kriteret.
Osmani mos heqjen e regjimit të vizave e ka quajtur të padrejtë dhe diskriminues, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të realizojë premtimin e dhënë gjatë udhëheqjes së Presidencës Çeke këtë vit.
Duke folur për agresionin rus në Ukrainë, Osmani akuzoi Serbinë për politika të dyfishta duke pretenduar të jetë mike e Rusisë dhe Evropës, duke cituar ish-presidentin Bill Clinton në vitin 1999 për zhvillimet në rajon: “Të hezitosh në momente kur ballafaqohesh me një agresor është e barabartë me aktin e të lejuarit për të vrarë”.
Osmani theksoi se lufta ilegale e Rusisë në Ukrainë po ndikon edhe në sigurinë e energjisë dhe ushqimit, të cilat mund të shndërrohen në një nga sfidat më të mëdha globale të shekullit 21.
“Ndërsa ditët bëhen më të ftohta dhe dimri po afron, mundësia e sfidave serioze me sistemet tona energjetike po bëhet kërcënim gjithnjë e më i madh. Kriza energjetike evropiane është reale dhe si e tillë duhet të shërbejë si shtysë për zgjerimin e bashkëpunimit rajonal. E njëjta gjë vlen edhe në rastin e sigurisë ushqimore. Garantimi i furnizimeve dhe sigurimi i rezervave të mjaftueshme ushqimore për muajt e ardhshëm mund të shndërrohet lehtësisht në një nga sfidat më të mëdha globale të shekullit 21”, ka thënë ajo.
Osmani para liderëve rajonalë shfaqi gatishmërinë për organizimin e takimit të radhës së liderëve rajonalë në Kosovë, në frymën e avancimit të bashkëpunimit dhe partneritetit të mëtejshëm.
Osmani nga samiti në Slloveni: Asnjë shtet i BE-së aktualisht nuk kundërshton liberalizimin e vizave
E në deklarimin për media presidentja Vjosa Osmani ka thënë ka thënë se Kosova është vend që përputhet plotësisht me aspiratat e Bashkimit Evropian.
“Sa më shumë që është prezentë prania e BE-së në Ballkan, aq më shumë paqe e siguri do të ketë në këtë rajon dhe në BE. Kosova do të jetë anëtare e barabartë e këtij rajoni. Si e tillë ajo ka dhënë propozimet që edhe janë marrë parasysh në këtë samit”.
Ajo ka vlerësuar rolin e Sllovenisë dhe Kroacisë për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Osmani ka shprehur kënaqësinë e që njëra prej këtyre pikave kërkon liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Aktualisht nuk ka vend në Bashkimin Evropian që na thotë se është kundër liberalizimit të vizave. Ky është momentum më i mirë në këto katër vitet e fundit për liberalizimin e vizave. Pra momentumi është i shkëlqyeshëm dhe kemi mbështetjen e nikoqirit. Shpresojmë që gjatë tetorit do të ketë takim për liberalizimin e vizave dhe pastaj në samitin e ardhshëm BE-Ballkan Perëndimor të ketë diçka më shumë. Me rëndësi është që ky proces të bëhet gjatë presidencës çeke të BE-së”, deklaroi Osmani.
Presidentja thotë se liberalizimi i vizave për Kosovën është çështje që lidhet me vet kredibilitetin e BE-së.
“Ne kemi zgjedhur rrugën e integrimeve euro-atlantike me vullnet të plotë”.
Ajo përmendi edhe aplikimin e Kosovës për statusin e vendit kandidat për BE.
“Shpresojmë se do të pranohet aplikimi nga secili shtet i BE-së”, shtoi Osmani.
Ndryshe, në fund të samitit të Procesit Brdo-Brijunit, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave.