Salihaj: Adem Jashari ka qenë “rugovist”, e mbante fotografinë e Rugovës në shtëpinë e tij

Veterani i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, e ka dhënë një deklaratë të çuditshme në “Debat Plus”, duke thënë se komandanti Adem Jashari, ka qenë “rugovist”.

Si argument, ai e përdori vendosjen e fotografisë së Rugovës nga Adem Jashari në shtëpinë e tij.

“Adem Jashari e ka fotografinë, shihet fotografia e tijë në shtëpinë e tij”, tha Salihaj.

Atij iu kundërpërgjigj kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i cili tha se Adem Jashari nuk ka qenë asnjëherë “rugovist”.

Salihaj insistoi se Adem Jashari ka qenë ithtar i ideve të Ibrahim Rugovës.

“Nëse s’e du dikënd, edhe se përkrahi ideologjinë e tij, nuk e mbaj fotografinë e tij në shtëpi. Nuk kemi nevojë të hyjmë në cështje tjerë, kur dikush e mban si idoll fotografinë e dikuj në shtëpi të themi se nuk ka qenë ithtar i tij”, ka thënë ai.

Tutje Salihaj ka thënë se ish-presidenti historik Ibrahim Rugova, përvec politikës paqësore ka pasur edhe politikë ushtarake.

Një nga argumentet që ai e ofroi në “Debat Plus”, është formimi i Ministrisë së Mbrojtjes në Kosovë gjatë viteve 1991-1993.

“Gjithë mendojnë se Rugova ka pasur politikë vetëm paqësore jo ushtarake, kjo nuk është e saktë, sepse një vit e gjysmë pas themelimit të LDK-së, është formuar Ministrja e Mbrojtjes e Kosovës, ajo ka vepruar deri në shtator të vitit 93 kur jemi arrestuar. Prej 91 deri në 93, unë vetë i kam marrë 17 udhëzime të ministrisë së mbrojtjes për formimin e njësive ushtarake, sot i kam 2017 faqe material të asaj kohë, me emrat e njerëzve që kanë qenë të sistemuar në njësi ushtarake, janë 5500 njerëz të sistemuar në njësi ushtarake”, ka thënë ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *