Rusia bombardon “aksidentalisht” qytetin e vet

Ministria e Mbrojtjes në Moskë, ka thënë se një aeroplan luftarak rus, e ka bombarduar aksidentalisht qytetin rus Belgorod, i cili gjendet në kufi me Ukrainën.

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, ka thënë se shpërthimi ka krijuar një krater të madh, rreth 20 metra gjerësi, në qendër të qytetit.

Dy gra janë plagosur dhe disa ndërtesa janë dëmtuar, ka thënë ai.

Incidenti ka ndodhur në orët e vona të së enjtes, sipas agjencive ruse të lajmeve.

Hetimet për këtë rast, është thënë se janë duke vazhduar.

Fotografitë dhe videot në rrjetet sociale kanë shfaqur banesa të dëmtuara nga shpërthimi, derisa në një tjetër, një makinë shihet mbi çatinë e një ndërtese.

Belgorod – qytet me 370.000 banorë – është rreth 40 kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Ky qytet është në veri të qytetit të dytë më të madh në Ukrainë, Harkivit.

Banorët e asaj zone jetojnë nën frikën e bombardimeve, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Kjo pasi aeroplanët luftarakë rusë fluturojnë shpesh mbi hapësirën ajrore të këtij qyteti, për të arritur në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *