Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, ka thënë se lufta është opsioni tjetër i marrëveshjes përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjinovci, në një paraqitje televizive mbrëmjen e së dielës në KTV, ka deklaruar se lufta është “opsion në të cilin mund të shkojë Kosova, si opsion ndaj marrëveshjes me Serbinë”.
Ai këto komente i ka bërë në orët e para të së hënës derisa po fliste për zhvillimet në veri të Kosovës.
“Unë mendoj se jemi duke shkuar brenda dy mundësive: lufta në Ukrainë e ka kallëzu që ti nuk do të thotë që duhet të jesh patjetër i fortë sa armiku yt, në mënyrë që të përballesh me të”, tha fillimisht Gjinovci.
Gjinovci ka analizuar se opsioni i luftës mund të ndodhë pasi Kosova, sipas tij, po forcohet ushtarakisht.
“Pra, Kosova mund të shkojë drejt një rruge që është opsioni ndaj marrëveshjes me Serbinë. Qysh është ajo? I keni parë raportimet që në muajin e fundit i janë shtuar mbi një mijë ushtarë Kosovës dhe po ashtu Kosova për herë të parë ka ndarë fonde me miliona, qysh s’ka bërë kurrë më parë, për të blerë mjete ushtarake. Pra, ka interesim të qeverisë për t’u rritur buxheti për ushtrinë. Është edhe Fondi i Sigurisë”, vijoi Gjinovci.
Analisti ka përmendur blerjen e dronëve luftarakë apo armëve kundër-ajrore.
“Pra, ekziston një opsion që Kosova mund të fillojë të blejë drona dhe armë kundër-ajrore. Edhe ti më nuk ke nevojë me ble tenka, se neve nuk na intereson me hy në Serbi. Dronat bajraktar janë lirë, armë që mundemi me i ble. Pra, shumë ma lehtë është sot me zhvillu luftë nëse ka luftë. Unë menoj që opsioni tjetër përveç marrëveshjes me Serbinë, është që Kosova të forcohet në mbrojtjen e vet dhe t’i thotë Serbisë ‘ndaç, mos ndaç dialog, provoje [me luftë] por s’del mirë’”, ka thënë Gjinovci.
Ai ka thënë se sanksionet që i janë vendosur Rusisë, “Serbia nuk do të mund t’i përballonte fare”.