Shumë prej operatorëve ekonomikë në Ferizaj nuk po i kryejnë shërbimet komunale që i kanë fituar përmes tendereve komunale.
Shërbime të ndryshme të cilat janë të domosdoshme, thuhet se nuk po mund të kryhen vetëm për shkak të çmimeve të larta.
Probleme të këtilla po kanë edhe shkollat e Ferizajit, pasi nuk po marrin furnizimet që po kërkojnë, si ato higjienike, të cilat duhen për fillimin e vitit shkollor.
E kjo po del se operatorët ekonomik po hezitojnë të kryejnë shërbimet e tyre pasi kontratat janë nënshkruar kohë më herët dhe shumë prej tyre janë dy e tri vjeçare.
Sipas tyre, krejt kjo po ndodh për shkak të çmimeve të larta të materialeve dhe është e pamundur që të kryejnë shërbimet me çmime të kontraktuara para një apo dy viteve.
Këtë problem sot e ka konfirmuar edhe nënkryetari I Ferizajt, Lulzim Aliu, i cili përmes një postimi në faqen e tijë zyrtare ka kërkuar që të bëhet rishikimi I këtyre kontratave, që të mundësohet furnizimi nga këta operatorë.
Nënkryetari Aliu ka shkruar se urgjent duhet të rishikohen të gjitha kontratat me operatorët ekonomik pas ndryshimit të madh të çmimeve, deri sa nuk është bërë vonë
Ky është reagimi i tij:
Dikur do të bëhet vonë. Madje shumë vonë.
“Të përmirësohen urgjentisht të gjitha kontratat me operatorë ekonomik pas ndryshimit të madh të çmimeve.
Mbi 90% e kontratave nuk janë duke u realizuar.
Kompanitë më të fuqishme në vend i kanë liruar punëtorët dhe po punojnë me kapacitete shumë të zvogluara për t’i shpëtuar falimentimit.
Kompanitë e vogla janë edhe më keq.
Ndryshimi i kontratave është obligim ligjor dhe do të ishte shumë më pak i kushtueshëm në krahasim me anulimin e tyre.”
Kjo ishte kërkesa e parë që i kam bërë kryeministër Kurtit në takimin që e kemi realizuar në Prevallë para disa muajsh.
Në vend të tij u përgjigj ministri Murati i cili tha se ndoshta edhe do të mirren me këtë çështje.
Deri tash asnjë lëvizje nuk është parë.
Dikur do të bëhet vonë. Madje shumë vonë, ka shkruar Lulzim Aliu