Rrëzohet kërkesa e mbrojtjes së Selimit për përjashtim të disa pjesëve të procesverbalit të 19 prillit

Gjykatësi Charles Smith III, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, në seancën e së mërkurës, ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Selimit, lidhur me përjashtimin e disa pjesëve të procesverbalit gjatë seancës së 19 prillit 2023.

“Në fund të seancës së 19 prill 2023, mbrojtja e Z. Selimi kërkoi të përjashtoheshin disa pjesë të procesverbalit në faqen 3230 dhe ky është transkripti zyrtar dhe këtë e bëri para se të paraqiste kundërshtimin”, tha paraprakisht gjykatësit Smith.

Ai fillimisht tha se gjatë dëshmisë së dëshmitarit 265, mbrojtja e Selimit paraqiti një kundërshtim  për dëshminë ku kinse lidhet Selimi me një incident të caktuar dhe se baza mbi kundërshtimin e mbrojtjes është se dëshmia e propozuar për këtë dëshmitar, për këtë incident, u përjashtua me urdhër gojor të trupit gjykues më 17 prill 2023.

“Trupi gjykues e shqyrtoi kërkesën dhe nuk mendon se ka raste ligjore, të parashikuar me ligje apo në rregullore që t’i japë të drejtë trupit gjykues të heqin nga procesverbali pjesë të caktuara për të cilat nuk pajtohet mbrojtja”, tha ai.

Andaj, gjykatësi Smith tha se për çdo rast dëshmia që është dhënë, do të gjykohet në mënyrë të përshtatshme, andaj edhe kërkesa e Selimit është rrëzuar.

Ndryshe, në fillim të seancës është bërë një ndryshim në procesverbal, sa i përket një prove materiale e cila është duplikuar, andaj dy dokumentet kanë mbetur nën numrin e njëjtë të provës.

Po ashtu, është kërkuar nga ana e ZPS-së që të sqarojë gjatë ditës së sotme se për cilën provë materiale bëhet fjalë në mocionin e tyre për pranimin e deklaratave të të akuzuarve, ku thuhet se do përdorin provën materiale me numër 14, një intervistë e Thaçit me ZPS-në në janar të 2020-ës, pasi që sipas gjykatësit Smith ‘‘trupi gjykues nuk është i sigurt se për cilën provë materiale bëhet fjalë’’.

Kurse, i njëjti ka treguar se do të ketë ndryshim në caktimin e seancave për muajin shtator dhe tetor, duke thënë se nuk do të mbahet seancat e 2, 3, 4 dhe 5 tetorit, por do të mbahen seanca më 25, 26 dhe 27 shtator 2023.

Ndryshe, gjatë seancës së sotme ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt i mbrojtur i prokurorisë, me ç’rast seanca ka kaluar në sesion privat.

Sot vazhdon gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë, sot pritet të vazhdojë gjykimi në rastin ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

Seanca pritet të fillojë në orën 9:00, por do të transmetohet me 45 minuta vonesë për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Datat tjera të planifikuara për seanca në çështjen e Thaçit dhe të tjerët për këtë muaj janë: 11, 12, 15, 16, 17, 18, 22, 23 dhe 24 maj.

Ndryshe, gjatë muajit prill ka filluar gjykimi për këtë çështje dhe janë mbajtur dhjetë seanca.

Në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.

Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.

Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill,  12 prill,  13 prill dhe më 17 prill.

Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka filluar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.  

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *