Një ngatërresë mes dy personave ka ndodhur mbrëmë në marketin ‘Spar’ te rruga B në Prishtinë, që eskaloi në sulm fizik, ku si pasojë një person ka pësuar lëndime të rënda, teksa i dyshuari ka përfunduar në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se motivi i rastit dyshohet të jetë një fjalosje që dy palët kanë pasur në lidhje me të dashurën e të dyshuarit, me ç’rast ky i fundit i është vërsulur viktimës duke e sulmuar brutalisht. Për të mos mbaruar me kaq, i dyshuari ka dëmtuar edhe disa pjesë të lokalit, derisa Policia arriti në vendin e ngjarjes.
Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, teksa i dyshuari është intervistuar para hetuesve policore dhe ka dhënë versionin e tij për motivin dhe detajet e ngjarjes.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe do të hetohet për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor dhe Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.