Historia e mashtrimit i ngjan filmit “Catch Me If You Can” (Kapëm nëse mundesh), që rolin kryesor e ka aktori, Leonardo DiCaprio, që falsifikon diplomën e doktorit, avokatit e pilotit.
Historia është e ngjashme me pronarin e kompanisë “Xanto Sp. z o.o”, i quajtur Tomasz Tokarski, që ka mashtruar një shtet, duke ia zhvatur paratë për 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer, që sipas Prokurorisë vlera e tyre është afër 600 mijë euro, pa e llogaritur edhe vlerën e 52 tonë grurë.
Kosova kishte paguar 120 mijë kilogramë sheqer dhe 200 mijë litra vaj te një kompani polake e quajtur “Xanto Sp. z o.o”. Por as vaji e as sheqeri nuk erdhën kurrë. Sipas një hulumtimi që ka kryer Albanian Post e gjithë skema është një mashtrim dhe shteti i Kosovës ka rënë në grackën e një mashtruesi i quajtur Tomasz Tokarski, që është edhe pronari i kompanisë “Xanto Sp.z.o.o”.
Tokarski mashtron që është një biznesmen dhe investitor. Ai ka hapur një kompani në Poloni ku ka kërkuar nga qytetarët që të investojnë në një produkt, që sipas tij, shëron kancerin. Kompania “Xanto Sp. z o.o”, nuk është e specializuar për transportin e produkteve, por pandeh që ka shpikur një bari që shëron kancerin.
Produkti quhet Humulus lupulus, që Tokarski e proklamon si bimë shëruese.
Ai përmes disa shkrimeve që i ka publikuar në media me pagesë, shpjegon se investimi në këtë bimë për një kohë të shkurtër kthehet në disa fish.
Dhe kjo Tokarskit i ka funksionuar dhe ka arritur t’i mashtrojë shumë qytetarë polakë, që kanë investuar shuma të mëdha parash, por që nuk i kanë marrë mbrapsht asnjëherë.
Mediumi Newsbeezer.com përmes një shkrimi të gjatë ka diskutuar me disa nga personat që janë mashtruar nga Tokarski.
Ata e përshkruajnë Tokarskin si një mashtrues që ju ka premtuar kthimin e investimeve, por që kjo nuk ka ndodhur.
“Shumë e përsërisin shprehjen: nëse një ofertë investimi duket shumë e mirë, ajo duhet të shmanget. Ky rregull nuk u ndoq nga disa qindra polakë të cilët investuan në kompaninë polake XANTO. Produkti i tij kryesor është Humulus lupulus, cili është quajtur “mbreti i antioksidantëve” .
Tokarski kishte proklamuar se duhet të jetë një investim i sigurt me një garanci që fitimi do të jetë dy herë më i madh”, nis shkrimi i mediumit për mashtrimin e personit që ia zhvati Kosovës afër 600 mijë euro dhe nuk ia solli 120 mijë kilogram sheqer dhe 200 mijë litra vaj për rezervën shtetërore.
Newsbeezer ka kontaktuar edhe me pronarin e kompanisë XANTO Tomasz Tokarski.
“President i Xanto në një bisedë telefonike tha se nuk ka shumë kohë për shkak të qëndrimit jashtë vendit dhe se do t’i përgjigjet me email pas kthimit nga delegacioni. Deri në publikimin e këtij shkrimi, ai nuk është përgjigjur”, vazhdon shkrimi.
Mediumi Newsbeezer ka folur me disa nga të mashtruarit që kanë treguar se investimet e tyre nuk u janë kthyer kurrë dhe kanë angazhuar avokat për t’i kthyer të hollat e tyre.
Tokarski është siguruar që mashtrimi i tij është bindës, duke paguar media që t’i publikojnë shkrime se produkti i tij është i së ardhmes dhe investimi në të është fitimprurës.
Në shkrimin e sponzorizuar nga Tokarski produkti që promovon kompania XANTO konsiderohet natyral dhe shumë efikas në shërbimin e sëmundjeve.
“Hopi i zakonshëm ( Humulus Lupulus) është përdorur në mjekësi për shekuj – shpjegon Tomasz Tokarski, President i Bordit Drejtues të Xanto, një kompani polake e cila është e vetmja e licencuar në botë e një patente për një teknologji unike të marrjes së xanthohumol me pastërti maksimale të mundshme”, thuhet në shkrimin e botuar, që reklamon produktin e kompanisë mashtruese.
Albanian Post ka dërguar pyetje në adresën e XANTO-së duke i pyetur se kur do ta sjellin sheqerin dhe vajin në Kosovë, por që nuk janë përgjigjur.
Tomasz Tokarski po ashtu në vitin 2013 përmes një projekti kishte tentuar që t’i bind biznesmenët që të investojnë për transmetimin e filmave në kinema në 6D, por edhe ky projekt si të tjetër i kishte dështuar.
Tokarski, sipas avokatit Mahmut Halimi që përfaqëson Ridvan Muharremin, ishte edhe në Kosovë, por organet ligjzbatuese nuk kanë ndërmarr asnjë veprim. Pak a shumë historia është si në filma, personi që ka zhvatur mallin e rezervës qëndroi në Kosovë dhe shpëtoi pa therrë në këmbë.
AP ka dërguar pyetje edhe në Prokurorinë Speciale, për ta marrë një qëndrim në lidhje me pronarin e kompanisë XANTO, por që nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
AP nga burime brenda Organeve të Drejtësisë merr vesh se më vonë Ministria e Rozeta Hajdarit përkundër përpjekjeve nuk ka arritur t’i bie në kontakt pronarit të kompanisë XANTO.
Nga ky skandal tre persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe iu është caktuar 30 ditë paraburgim nga Gjykata, për shkak të anashkalimit të procedurave ligjore për blerjen e rezervave shtetrore.
Nga Prokuroria Speciale akuzohen dy zyrtarë të MINT drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetrore, Hafiz Gara, Drejtori i Integrimeve Evropiane, Irfan Lipovica dhe Ridvan Muharremi, afarist.
Organi i Akuzës i ngarkon Garën e Lipovicën se kanë anashkaluar ligjin e Prokurimit Publik kur kanë kërkuar që malli të blihet pa procedura, por me negocim.
Prokuroria në Dosje thotë se buxheti i Kosovës është dëmtuar 600 mijë euro si shkak i mos ardhjes së vajit, sheqerit dhe 52 tonë grurë.