Paralajmërimi i Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, se njëra ndër masat që mund të merret ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato “nuk sillen me përgjegjësi” në procesin e dialogut është edhe shqyrtimi i regjimit të vizave për të dy vendet, sipas ligjëruesit dhe studiuesit të drejtësisë tranzicionale në Universitetin Westminster në Angli, Aidan Hehir, është padrejtësi e madhe ndaj Kosovës dhe potencialisht një kërcënim për stabilitetin .
Profesori anglez i indinjuar me deklaratën e presidentit francez ka theksuar se “është një masë e caktuar e ngacmimit dhe e padrejtësisë të cilat njerëzit mund t’i përballojnë”.
Për deklaratën e Macron një ditë më parë u deklarua edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke cilësuar “kërcënimin” e presidentit francez si mënyra më efektive për të vrarë procesin e dialogut njëherë e përgjithmonë.
Një ndëshkim të tillë të paralajmëruar nga Macron, Osmani në një prononcim për media pas homazheve te Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë, e quajti si të paprecedent i cili do të rezultojë me vdekjen e dialogut.
“Në qoftë se dëshiron dikush që mos të ketë më dialog atëherë ndërmerr masa të tilla që janë masa ndëshkuese ndaj popullit të Kosovës, nuk janë ndaj ndonjë lideri, nuk janë ndaj ndonjë politike, janë ndaj popullit të Kosovës. Një ndëshkim i tillë i paprecedentë, i cili edhe ashtu ka qenë pa drejtësi e madhe në raport me popullin e Kosovës, unë besoj se do të rezultojë me vdekjen e dialogut, nuk ka askush më mandat në Republikën e Kosovës që të vijojë të shkojë në Bruksel, kur populli i Kosovës ndëshkohet në aso mënyre”, tha Osmani.