Vendimi i ri i qeverisë që nëpër lokalet e gastronomisë në Kosovë të shërbehet uji nga çezma nuk është mirëpritur nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, më konkretisht kryetari, Petrit Kllokoqi ndonëse është shprehur se e pranojnë dhe se do ta respektojnë vendimin.
Kllokoqi përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se e blejë ujin prej ujësjellësit. Por kjo deklaratë është demantuar nga ushtruesi i Detyrës së Drejtorit Ekzekutiv në KRU Prishtina, Sokol Xhafa.
Xhafa tha se fatkeqësisht nga shumica e gastronomëve dominon papërgjegjësia për të mos e paguar ujin që shpenzojnë.
“Për fat të keq jo mjaftueshëm, ka raste që janë shumë të rregullt, ka raste kur janë në parapagim por nëse i marrim në përqindje, më shumë janë ata që nuk paguajnë rregullisht faturat, jemi detyru që shpesh ti dërgojmë në përmbarim. Nuk kemi pasur zgjidhje tjetër, u kemi ofruar shumë lehtësira për pagesë por për fat të keq ka që vonojnë me pagesa”, ka thënë Xhafa në Klan Kosova.
Ndërkohë, ushtruesi i detyrës së drejtorit Ekzekutiv në KRU Prishtina, Sokol Xhafa deklaroi se lokalet e gastronomisë në përgjithësi kanë furnizim të mjaftueshëm me ujë.
“Pjesa e gastronomisë jo vetëm në kryeqytet por edhe në tërë Kosovën kanë furnizim stabil, problematike është temperaturat e larta. Afektohen me mungesë të ujit. Nëse nuk ka keqpërdorues nëse pronarët apo menaxherët e lokaleve e përdorin ujin për të ujitur kopshtet apo trotuaret përpara, ujë ka mjaftueshëm”, u shpreh ai.