Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, i ka dorëzuar Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin Vjetor të Performancës (RVP) për vitin 2022.
Raporti paraqet informata për performancën e përgjithshme të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) karshi detyrimeve dhe mandatit ligjor, si dhe reflekton progresin e arritur dhe adresimin e sfidave përgjatë vitit.
Spanca në fjalën e saj ka theksuar se aktiviteti auditues është mbështetur në Planin Vjetor të Auditimit 2021/22, ku përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, fokus i veçantë i është dhënë auditimeve të performancës me interes për qytetarët dhe Kuvendin.
“Angazhimi i ZKA-së, gjatë këtij viti është përqendruar gjithashtu në auditimet e institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike të cilat nuk ishin audituar një kohë të gjatë nga auditimi shtetëror siç janë: KEK-u, KOSTT-i, RTK-ja dhe projekte kapitale me peshë të lartë financiare. Marrë parasysh zhvillimin e hovshëm në fushën e teknologjisë së informacionit dhe nevojës për sigurinë e sistemeve të TI-së, ZKA-ja ka audituar sisteme të teknologjisë së informacionit me rëndësi shtetërore dhe strategjike”, thuhet në njoftimin e Auditorës së Përgjithshme.
Me qëllim të përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe shfrytëzimin e fondeve publike me efikasitet, efektivitet dhe arritjen e vlerës për para në vitin 2022 (që mbulojnë periudhën 2021) Auditorja e Përgjithshme Spanca ka treguar se ZKA-ja përmes raporteve të auditimit ka dhënë mbi një mijë rekomandime (1,030).
Po ashtu, sipas njoftimit, është rritur efikasiteti dhe ruajtur konsistenca në auditim duke avancuar tutje metodologjinë e punës në funksion të digjitalizimit të procesit auditues.
Raporti përmban informata edhe për sa i përket menaxhimit të burimeve financiare dhe njerëzore të ZKA-së, kontrollit të brendshëm dhe etikës.
Bashkëpunimi me palët e interesit, posaçërisht me shoqërinë civile dhe qytetarët është avancuar, me qëllim të gjithëpërfshirjes dhe rritjes së transparencës lidhur me menaxhimin e parasë publike.
Për të rritur përgjegjshmërinë në sektorin publik, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka theksuar se gjatë vitit 2022, janë dërguar 77 raste me elemente potenciale të veprave penale, mashtrimit dhe korrupsionit në Prokurori të Shtetit, si dhe janë ofruar informacione të kësaj natyre për organet e hetuesisë.
Tutje Auditorja e Përgjithshme, ka treguar se gjatë vitit 2022, ZKA-ja ka shënuar rezultate edhe sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar duke u anëtarësuar në grupe të ndryshme profesionale në kuadër të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.
Po ashtu gjatë kësaj periudhe ZKA-ja ka marrë pjesë dhe është përfaqësuar në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.
Bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë ka vazhduar dhe aktivitete të shumta në fusha të ndryshme të zhvillimit institucional janë zhvilluar gjatë tërë vitit.
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka ritheksuar përkushtimin e saj për të avancuar më tutje kompetencën profesionale të Zyrës Kombëtare të Auditimit, të ruaj pavarësinë institucionale, forcojë integritetin, transparencën dhe frymën ekipore me qëllimin e vetëm që t’i ofrojë Kuvendit dhe qytetarëve informacion objektiv dhe relevant për shpenzimin e parasë publike.