Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një bashkëbisedim të drejtëpërdrejtë në vigjile të Samitit të BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor i cili do të mbahet të martën në Tiranë ka komentuar edhe refuzimin e Serbisë për të marrë pjesë në këtë samit.
Sipas Ramës, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç që të vijë në samit, ndryshe çdo veprim kundër do të ishte katastrofë për vetë atë dhe shtetin e tij.
“Unë nuk emocionohem nga asnjë lloj deklarate që bëjnë politikanët brenda ose jashtë vendit tonë për qëllime të politikës së tyre të brendshme. Serbia do të jetë në samit dhe presidenti i Serbisë nuk ka asnjë rrugë tjetër përveç që të vijë në samit. Dua ta them këtë me bindje sepse e kundërta do të ishte katastrofë për Serbinë dhe për atë vetë besoj”, tha Rama.
Rama e cilëson Samitin e BE-së me liderët e Ballkanit Perëndimor si më të rëndësishmin në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, prandaj ka dhe vlerën historike.
“Një ngjarje e jashtëzakonshme, një ngjarje historike, në këndvështrimin tim më e rëndësishmja në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit, ku i gjithë Bashkimi Evropian, të gjithë liderët e Evropës së bashkuar zbresin për herë të parë në Tiranë, në një vend jo të Bashkimit Evropian për një samit që Këshilli Evropian zhvillon së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor, një vlerësim strategjik nga ana e organizatorëve”, tha ai, duke shtuar se është një qasje e re e BE-së për rajonin tonë.
Kujtojmë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar disa ditë më parë se nuk do të marrë pjesë në Samitin e BE-Ballkani Perëndimor që do të mbahet në Tiranë.