Rama për naftën e zbuluar në Shqipëri: Është e njëjtë si e Arabisë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha këtë të mërkurën në një deklaratë për mediat se nafta e zbuluar në Shpirag të Beratit, është e një cilësie të lartë e sipas analizave të laboratorit në Holandë ajo ka të njëjtën cilësi si nafta e zbuluar në Arabinë Saudite.

Rama tha se është ende herët për të folur se sa është rezerva e naftës së zbuluar, por deri më tani nga gërmimet ende nuk është prekur uji.

“Lajm interesant është se ende nuk është cekur ujë, i cili është nën rezervën, çfarë prezumon se madhësia e rezervës mund të jetë më e madhe. Nuk mund të flasim ende për shifra konkrete”, shtoi  Rama, raporton Euronews.al.

“Nëse nxjerrja tejkalon financimin atëherë rezerva do të mbetet aty deri në një fazë tjetër kur teknologjia të na mundësojë nxjerrjen. Pavarësisht se kompania Shell ka përdorur teknologjinë e fundit”.

Po ashtu Rama shtoi se: “Nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë dhe është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë. Burime të tjera që janë shfrytëzuar deri më tani, kanë një naftë më të rëndë dhe vlera e saj është shumë më modeste. Sipas analizave të bëra në laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në Malin e Shpiragut ka të njëjtën cilësi Premium të Arabisë Saudite”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *