Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Kosova e ka futur veten në kurth me çështjen e pazgjidhur me Serbinë, e sipas tij, plani franko-gjerman është gjëja më e mirë që mund t’i ndodhë Kosovës.
Rama ka thënë se Kosova jo vetëm që duhet të ulët në tavolinë, por sipas tij është mirë që të firmosë marrëveshjen edhe sikurse Serbia të mos e do kurrë(marrëveshjen).
Pas kësaj ai tha se Kosova duhet që të lë procesin në dorë të Bashkimit Evropian.
“E mira e madhe e Kosovës është jo që të ulet në tavolinë, por e mira është të firmosë unilateralisht dhe firmosë edhe sikur Serbia të mos e do kurrë (marrëveshjen). E pastaj t’ia lë në dorë BE-së e t’i thotë këto ishin planet e BE-së, këto ishin dokumentet.. Mjafton që në BE të futemi në një proces ku njohja e vendeve mosnjohëse të funksionojë. Paqja bëhet për vete, bëhet me armikun, jo me mikun”, ka deklaruar Rama.
Sipas kryeministrit, Kosova ka moment të artë në tavolinën e Brukselit “dhe i ka në krahë të gjithë aleatët, çlirimtarët dhe njohësit e saj”, duke shtuar se ajo “po mbytet në një lugë uji se çka po thotë presidenti i Serbisë”.
“Kosova duhet të veprojë e pavarur nga Serbia dhe t’i dedikohet rrugës së saj evropiane duke u sjell si tjetër Evropë në Ballkan bashkë me Shqipërinë. Këto që i tha presidenti s’janë kushte që i vë BE-ja, janë mundësi themeltare për ta çuar përpara procesin e paqes. Për mua nuk diskutohet që Shqipëria do të vazhdoj të mbajë flamurin e paqes dhe të dialogut…Të gjitha ato që lidhen me veriun të papranueshme, të dënueshme. Zija në Beograd ishte skandal antievropian, kjo është, por s’mund të jetë arsye për të frenuar procesin”, ka shtuar kryeministri i Shqipërisë.