Trendi i parave të falsifikuara po vazhdon të ‘lulëzojë’ në Kosovë, ku qindra e mijëra euro fals vihen përditë në treg. Rastet e tilla raportohen kryesisht nga zyrtarët e bankave në vend, teksa kartëmonedhat që raportohen më së shumti si të falsifikuara janë ato prej 50 dhe 100 euro, raporton Gazeta Sinjali.
Pothuajse të gjitha bankat në Kosovë kanë rënë pre e bankënotave të falsifikuara dhe ndër to është edhe Raiffeisen Bank. Një rast i tillë ka ndodhur sot në filialin e kësaj banke në Prizren dhe është denoncuar nga një zyrtar.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, në bankomatin e kësaj banke, një klient ka deponuar 10 mijë euro dhe prej tyre një 100 doli të jetë e falsifikuar.
Pas denoncimit të rastit, kartëmonedha është sekuestruar nga Policia dhe në koordinim me prokurorin e shtetit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, hetimi ka filluar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Kujtojmë se kualiteti i parave false është shumë i lartë, saqë është e vështirë të detektohen pa aparatin përkatës.