Qendra e Studentëve në Prishtinë ka njoftuar se do të akomodojë me mijëra sportistë në Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Përmes një njoftimi për media, nga QSP-ja kanë thënë se janë të lumtur që në arritjen historike të Kosovës për organizimin e Lojërave Mesdhetare, do të japin kontribut në mënyrë që “shteti ynë të arrijë suksesshëm të përmbushë këtë përgjegjësi të madhe, duke u shndërruar në ‘Fshat Mesdhetar’”.
“Qendra jonë është përzgjedhur si vend për akomodimin e mijëra sportistëve që do të marrin pjesë në këtë organizim të përmasave ndërkombëtare. Qendra e Studentëve ka pasur një zhvillim të hovshëm vitet e fundit dhe është një strehë e sigurt e plot rehati. Pastërti, qetësi, ushqim i shijshëm e i shëndetshëm do të ofrohet në Mensën tonë”, thuhet në komunikatë.
.Qendra e Studentëve tutje ka thënë se viteve të fundit është kthyer në një qendër moderne, që garanton akomodim me të gjitha kushtet dhe me staf shumë mikpritës.
“Gjithnjë pjesë e ngjarjeve më të mëdha historike të Kosovës”, thuhet tutje.