Policia e Kosovës ka dhënë dje shembull se si duhet reaguar në situata të tilla, thotë ish-drejtori i këtij institucioni, Rashit Qalaj, derisa komenton zhvillimet e së dielës në veri të vendit.
Pasi katër sulmues serb u vranë dhe gjashtë të tjerë u arrestuan, Qalaj vlerëson se Policia e Kosovës ka reaguar me kujdes derisa thekson se duhet hetuar rreth vendosjes së terroristëve në manastir.
Përleshje gjatë ditës së diel kishte edhe pasi terroristët u vendosën në manastir dhe deri tani dihet për katër sulmues të vrarë dhe gjashtë persona të arrestuar.
“Me vet faktin që grupi kriminal, grupi terrorist ka hyrë në manastir, ai ka hyrë me një qëllim, nuk kemi informata të duhura por mund të supozojmë çfarë do që të jetë policia ka reaguar me kujdes, mos të harrojmë që reagimi i manastirit është mjaftë i ndjeshëm dhe i rrezikshëm. Mos të harrojmë që ka pasur njerëz civil, pelegrinë që kanë ardhur të vizitojnë manastirin se a ka pasur ndonjë bashkëpunim mbetet pjesë e hetimeve që të bëjnë Policia e Kosovës. Unë nuk jam që të jap ndonjë deklaratë popullore. Policia e Kosovës ka dhënë një shembull reagimi në situata të tilla dhe nuk është rastësi që ka eliminuar katër terroristë tre dje dhe sot është gjetur një trup diku në mal. Pavarësisht numrit, me rëndësi është që operacioni është përmbushur me sukses, njerëzit janë arrestuar nuk ka pasur të lënduar e as të vrarë tjerë nga Policia e Kosovës, dhe as ndonjë civil nuk ka humbur që nuk ka qenë i involvuar me atë ngjarje dhe konsiderohet si akt i suksesshëm” shtoi Qalaj.
Qalaj thotë se kapja e terroristëve është mesazh për të gjithë që nisin sulme nga policisë.
“Po flasim për kriminelët të cilët kanë ikur dhe ata kanë shfrytëzuar rrugët, kanë shfrytëzuar momentin deri sa janë kyçur njësia speciale, e kanë njohur terrenin mjaft mirë dhe nuk është me rëndësi se nga kanë shkuar ata, hetimet vazhdojnë, policia do të zhvillojë hetimet. Besoj që do të mbledh informata të duhura për kapjen e tjerëve dhe kjo është një mesazh për të gjithë ata që vendosin të gjuajnë me drejtim të policisë do të marrin dënimin e merituar” tha Qalaj për KosovaPress.
Deputeti i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes thotë se me raste të tilla duhet të merret Policia e Kosovës dhe nëse ka nevojë duhet të marrë mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare.
“Mendimi im është qe Policia e Kosovës të merret me situata të tilla, Policia e Kosovës është zot në këtë vend. Ajo është përgjegjëse për siguri ndërsa nëse kanë nevojë për mbështetje, atëherë normalisht se duhet mbështetur nga institucionet tjera ndërkombëtare të sigurisë mirëpo gjithmonë primare duhet me qenë Policia e Kosovës. Policia e Kosovës ka kapacitet të merret me situata të tilla, mirëpo unë e di që Polica e Kosovës ka bërë kërkesë që të ndihmojë mirëpo në lokacione tjera të shtojë numrin e pjesëtarëve të KFOR-it përgjatë brezit kufitar, pastaj vendi të shtojë numrin e tyre. Mirëpo me operacion janë marrë Polica e Kosovës, afër kanë qenë KFOR-i, EULEX, mirëpo po e përsëris ne duhet të kemi besim tek institucionet tona”, shtoi Qalaj.
Ai vlerëson se Policia e Kosovës nuk duhet të kufizohet në veprimet e saj.
“Që policia e Kosovës, në bazë të ligjit për policinë ka mundësinë dhe duhet gjithsesi, është autorizuar mandatar me ligj që të veprojë në tërë vendin në këtë rast edhe në pjesën veriore. Kjo çështja marrëveshja që ka bërë qeveria me faktorin ndërkombëtar është e përkohshme, e dëmshme, nuk duhet që Policia e Kosovës të kufizohet në veprimin e saj. Duhet të kemi besim, ata janë njerëz djem dhe vajza të shkolluar, edukuar profesionalisht dhe kanë mundësinë, dijen dhe guximin që të merren me çdo rast”, tha Qalaj
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës thotë se ky institucion është ballafaquar me rreziqe të ndryshme por sipas tij është hera e parë që kanë kryer një operacion të tillë.
“Policia e Kosovës është ballafaquar shumë herë me rreziqe por është hera e parë një operacion i tillë, një kërcënim i tillë i rrezikut, një grup terrorist të veprojë në Kosovë është hera e parë, pra ka qenë një praktikë për Policinë e Kosovës, mendoj që do të nxjerrim mësimet e mësuara nga ky incident, gjithmonë ka mundësi që ta analizohen veprimet dhe të mësohen nga veprimet që ke bërë, mendoj që kanë operuar mjaft mirë, por ata e din çka ka mundur të jetë më mirë, çka nuk ka funksionar, çka është dashur ndryshe. Mendoj që është të ashtuquajtur njerëz që po dalin dhe po bëjnë analiza të sigurisë duhet të shikojnë se çka ka kaluar, pra është një praktikë e re për të gjithë ne dhe besoj të gjithë ne pavarësisht se ku punojmë dhe veprojmë e kemi mundësinë që të nxjerrim mësimet e mësuara nga dita e djeshme” tha Qalaj.
Operacioni i Policisë së Kosovës për gjetjen e sulmuesve po vazhdon.