Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është paraqitur sot nga Komuna e Vushtrrisë me një video për qytetarët. E pozicionuar në një nga pronat e Ministrisë së Drejtësisë, e para e këtij dikasteri ka pyetur se ‘për çfarë dhe për kë po punon Prokuroria Speciale’.
Haxhiu tha se ish-ministri i drejtësisë dhe ish-drejtori i burgjeve kishte dhënë pronën publike në shfrytëzim për 10 vite një personi fizik në kundërshtim me ligjin.
“Nga të gjeturat e auditorit të brendshëm kemi gjetur se kontrata është lidhur pa asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore. Pas raportit të auditorit kemi anuluar njëanshëm kontratën e auditorit dhe vendimi ynë është vërtetuar i drejtë dhe i ligjshëm nga Gjykata Themelore në Mitrovicë”, tha ajo.
Tutje, ministrja Haxhiu tha se kanë bërë kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj ish-ministrit të drejtësisë dhe ish-drejtorit të burgjeve, por që është hedhur poshtë me arsyetimin se nuk ka shkelje.
“Prokuroria Speciale ka marr vendim për hedhjen e kallëzimit penal me arsyetimin që nuk ka shkelje penale Në vend se Prokuroria të merret me ata që kanë shkelur ligjin dhe kanë dëmtuar interesin publik, ata kanë zgjedhur të merren me auditorin e brendshëm që ka mbrojtur pronën publike”, deklaroi Haxhiu.
Haxhiu tha se kanë bërë edhe shumë denoncime në polici dhe prokurori, por deri më tani nuk asnjë lëvizje nga ana e institucioneve.