Publikohet dokumenti: Babai i Këshilltarit të Qeverisë Kurti dha lejen për ndërtimin e Kishës në oborrin e UP’së

Është publikuar edhe si dokument vendimi i vitit 1990, i lejes për ndërtimin e kishës serbe në oborrin e kampusit universitar në Prishtinë. Ky vendim del se ishte dhënë nga ish-funksionari shqiptar i asaj kohe, Hamdi Vraniqi. Ky i fundit babai i këshilltarit në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës dhe bashkëpunëtor i moçëm i kryeministrit Albin Kurti në Lëvizjen Vetëvendosje.

Diskutimi që kishte nisur në vitin 2015 për lëshimin e lejes për ndërtimin e Kishës Serbe në oborrin e Kampusit Universitar, është riaktualizuar sërish me publikimin e vendimit, ku figuron se Hamdi Vraniqi, babai i Erzen Vraniqit, këshilltar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, e kishte dhënë këtë leje.

Në dokumentin për dhënien e lejes që po qarkullon në media sociale, e që është publikuar edhe nga analisti Shkodran Ramadani, dëshmohet se vendimi për ndërtimin e Kishës Ortodokse në oborrin e UP’së ishte lëshuar me nënshkrim të Hamdi Vraniqit, një ish-funksionar i asaj kohe, shkruan Reporteri.

Kjo temë ishte diskutuar edhe në vitin 2015 pas deklaratës të igumenit Sava Janiq, i cili në një opinion kishte zbuluar se dokumentin për lëshimin e lejes ndërtimore e kishte nënshkruar Vraniqi, më 26 shtator të vitit 1990.

“Ky është vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit për planin urbanistik të Qendrës universitare në Prishtinë, ‘ku do të ndërtohet objekti i tempullit të katedrales me objektet përcjellëse dhe infrastrukturore. Dokumenti është nga 26 shtatori i vitit 1990 dhe e ka nënshkruar Hamdi Vraniqi, Këshilli Ekzekutiv i Kuvendit të Komunës së Prishtinës. Do të thotë, ky është dokumenti i parë”, kishte deklaruar Janjiq në vitin 2015.

Ky dokument tash përdoret nga Kisha Ortodokse serbe si dëshmi se Kisha në oborrin e UP’së nuk u ndërtua në mënyrë ilegale dhe se hapësira ku ajo ndodhet iu lëshuan në shfrytëzim nga funksionarët e asaj kohe – që sipas dokumentit u ndryshua plani urbanistik i Qendrës Universitare të Prishtinës që ekzistonte deri në shtator të 1990.

I biri i Hamdi Vraniqit, Erzen Vraniqi ka qenë gjithmonë i afërt me kryeministrin Kurti.

Kurti e kishte atë emëruar si këshilltar edhe gjatë Qeverisë Kurti 1. Vraniqi vazhdon ta jetë këshilltar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Më herët, Vraniqi ka mbajtur edhe pozitën e zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai, të patën publikisht, deri më tash nuk është distancuar nga veprimet e prindit të tij, e as nga ky vendim i vitit 1990.

Hamdi Vraniqi para se të merrte detyrën e drejtuesit të Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Komunës së Prishtinës – pas masave të dhunshme të regjimit – si shërbëtor i pushtetit të instaluar dhunshëm në Kosovë, kishte qenë profesor në Fakultetin Juridik në UP.

Funksion të rëndësishëm, para viteve 90’ta, pati edhe vëllai i Hamdi Vraniqit, Ramadan Vraniqi që drejtonte Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Ndryshe, publikimi i këtij dokumenti vjen pasi zyrtari i Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, e akuzoi kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajn se ka qenë anëtar i një partie serbe. Më vonë, kërkoi falje për këtë deklaratë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *