Publikohen pamjet/ Momenti kur Policia e Kosovës sulmohet me armë zjarri në veri 

Situatë e tensionuar është në veri të Kosovës prej shumë orësh.

Serbët lokalë dolën që të vendosin barrikada të shumta në pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, duke kundërshtuar kështu vendosjen e reciprocitetit nga Kosova në drejtim të Serbisë, për dokumente dhe targa të automjeteve.

Ky reciprocitet pritej që të niste zbatimin sonte.

Serbë të shumtë ishin mbledhur po ashtu edhe në qendër të Mitrovicës së veriut, ku gjatë gjithë ditës janë dëgjuar alarme.

Policia e Kosovës bëri të ditur se gjatë ditës pati edhe të shtëna me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë, por që për fat të mirë nuk pati të plagosur.

Madje u raportua se pati edhe familje kosovare të cilat janë maltretuar nga serbët në veri.

Serbët lokalë vendosën të qëndrojnë me barrikada të shumta në pikat kufitare, deri Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës u vendosën në veri.

Po ashtu nga KFOR-i deklaruan se janë duke monitoruar gjithë situatën atje.

Një media lokale tani ka publikuar edhe video-n nga momenti kur të shtëna me armë zjarri pati në drejtim të zyrtarëve policorë.

Aty dëgjohen krisma të shumta të AK-47, e që padyshim në rrezik tejet të madh ishin policët, të cilët po vazhdojnë të jenë në gatishmëri për sigurinë e vendit./Lajmi.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *