Bëhet i ditur identiteti i tre terroristëve serbë të vrarë, të cilët vdiqën për pjesëmarrjen e tyre në sulmin ndaj policisë së Kosovës dhe vrasjen e një polici të Kosovës dje në fshatin Banjskë, afër Mitrovicës së Veriut.
Siç kanë thënë banorët e asaj zone për Danas, ata janë banorë vendas, serbë vendas nga veriu i Kosovës.
Në një përplasje zjarri, të vrarë kanë mbetur I.M dhe B.M nga Leposaviqi, si dhe S.N nga Zveçani.
Grupi i personave të armatosur që sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, nuk është strukturë spontane, por e organizuar dhe e parapërgatitur mirë, thonë njohësit e çështjeve të sigurisë.
Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, vlerëson se “formacioni imiton grupin mercenar rus, Ëagner”, ndërsa Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë thotë se ai nuk ka mundur të veprojë “pa dijen e autoriteteve të Serbisë”.
Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe disa u plagosën të dielën në përleshjet me një grup të armatosur në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.
Autoritetet thanë se rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku, vdiq nga plagët e marra gjatë sulmit.
Sipas tyre, sulmuesit e armatosur, rreth 30 syresh, ishin vendosur në manastirin e Banjskës, nga ku shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së diel.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.
Sipas Sveçlës, autoritetet konfiskuan edhe një sasi të madhe armatimi.
Autoritetet e Kosovës bënë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.