Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq nuk mund ta injorojë rezolutën e Parlamentit Evropian, sado i guximshëm të jetë në fjalë, thonë ekspertët për DW pas miratimit të rezolutës.
Rezoluta e Parlamentit Evropian, e cila u miratua me shumicë dërrmuese votash në Strasburg, përmban kërkesën për hetim ndërkombëtar të zgjedhjeve në Serbi,sipas modelit që u aplikua në Maqedoninë e Veriut. Nëse autoritetet serbe nuk i zbatojnë rekomandimet për përmirësimin e procesit zgjedhor ose nëse vërtetohet se kanë marrë pjesë në vjedhje zgjedhore, Serbia do të përballet me mundësinë e pezullimit të financimit të BE-së.
Autoritetet në Serbi po tërheqin vëmendjen për faktin se sulmet ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë janë të papranueshme. Por kjo nuk e pengoi kryeministren, Ana Brnabiq, që këto ditë të vazhdojë me të njëjtin ton dhe me akuza ndaj opozitës serbe, por edhe disa institucioneve ndërkombëtare.
Brnabiq e krahasoi rezolutën e PE me “Radio Mileva” (që në Serbi përdoret si një sinonim për ndonjë media tërësisht të parëndësishme) dhe deklaroi se ajo përmban gjithçka që opozita ka thënë për zgjedhjet.
Një hap tjetër për demokratizimin e Serbisë
Besimi në procesin demokratik në Serbi është lëkundur, por autoritetet serbe nuk shfaqin as dëshirën më të vogël për të pranuar faktet e paraqitura nga opozita serbe apo faktorët ndërkombëtarë.
Sado që fuqia politike e PE-së duket relativisht e dobët, toni i ashpër i rezolutës së shpallur ndoshta do të ketë ndikim në lëvizje dhe vendime të shumta politike, mendojnë analistët.
“Mendoj se disa parregullsi në zgjedhje jo vetëm që janë regjistruar, por edhe janë vërtetuar”, thotë gazetari Nedim Sejdinoviq për DW. “Do të thosha se kjo rezolutë do të jetë një hap më tej në krahasim me të gjitha përpjekjet e tjera të BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare për të kontribuar në procesin e demokratizimit të Serbisë. Mund të jetë edhe hyrje në një qëndrim tjetër të gjithë Perëndimit ndaj regjimit të Aleksandar Vuçiqit”, mendon ai.
Fokusimi tek vjedhja e zgjedhjeve
Parlamenti Evropian i dallon mirë problemet në Serbi dhe rolin e regjimit autoritar në manipulimin e zgjedhjeve, vëren për DW analisti politik Dragomir Angjelkoviq. Rezoluta e miratuar nuk merret me çështje gjeopolitike, por vetëm me manipulime zgjedhore. Një hetim i pavarur ndërkombëtar është propozim i Parlamentit Evropian dhe do t’i dërgohet Komisionit Evropian, i cili duhet të vendosë për dërgimin e një misioni ekspertësh në Serbi.
“Jam i sigurt se ky komision do të formohet, pavarësisht nga qëndrimi i autoriteteve në Serbi”, thekson Nedim Sejdinoviq. “Autoritetet janë përballë një zgjedhje – ose do të pranojnë një lloj angazhimi ndërkombëtar, ose do të mbyllin praktikisht dhe simbolikisht derën e BE-së. Kjo nuk i shkon për shtat regjimit të Vuçiqit, sepse ai po ecën mirë me situatën ‘jemi në rrugën evropiane, por nuk shkojmë atje’”, sipas bashkëbiseduesit të DW.
Një mekanizëm i pakëndshëm për Vuçiqin
Dragomir Angjelkoviq thekson se rezolutat e PE-së nuk janë detyruese, por ato mund të jenë serioze nëse janë në përputhje me politikat e shteteve individuale evropiane. “Meqenëse Gjermania është shumë kritike ndaj vjedhjes së zgjedhjeve të Vuçiqit, do të nisë një mekanizëm që do të jetë shumë i pakëndshëm për të. Regjimi nuk do të mund të vazhdojë si më parë dhe, pavarësisht nëse do të ketë apo jo hetim, shumë më tepër vëmendja do të përqendrohet në proceset politike në Serbi”, thekson Angjelkoviq.
Është e dukshme që autoritetet aktualisht po injorojnë presionet e brendshme dhe të jashtme, dhe Nedim Sejdinoviq beson se injorimi i bashkësisë ndërkombëtare është diçka që është më shumë për përdorim të brendshëm: “Ne gjithashtu kemi një histori të vazhdueshme që Vuçiq ka një alternativë dhe se ai mund t’i drejtohet Kinës dhe Rusisë. Kjo thjesht nuk është e vërtetë, sepse ne shohim që pas zgjedhjeve, Vuçiq po bën lëvizje në favor të Perëndimit, siç janë targat e Kosovës dhe po e nxeh historinë me Rio Tinto”. “Më duket se ai e ka tepruar duke llogaritur në faktin se do të shmangte një hetim ndërkombëtar”, thekson Sejdinoviq.
Amerika – mbështetja e Vuçiqit
Vuçiq niset nga fakti se ai ka mbrojtjen e amerikanëve, vëren Dragomir Angjelkoviq, dhe shton se “Amerika është e interesuar në radhë të parë për çështjet gjeopolitike në Serbi. Ndërsa Evropa është ende e interesuar që Serbia të mos jetë Kolumbia Evropiane”.
“Evropa nuk do këtu një shtet të bashkuar me kartelet e drogës dhe ku proceset politike të zhvillohen në zonën e zezë. Vuçiq mendon se disa vende evropiane, si Gjermania, e cila po ashtu është e interesuar për demokratizimin e Serbisë, nuk e kanë rolin që ka Amerika. “Do të thosha se do ta kuptojnë se shtrirja e BE-së nuk është aq e vogël, por derisa të ndodhë kjo, koha po kalon dhe Vuçiq është ende në pushtet”, thekson Angjelkoviq.