Vendosjen e telefonit në karikim natën, para se të shkojmë në shtrat, e bejmë të gjithë, madje e kemi kthyer në një zakon klasik, por në fakt nuk është diçka e mirë. Në fakt, karikimin e celularit në kohën kur jemi në gjumë filluam të bënim në të kaluarën, në ditët e celularëve të parë, kur u deshën më shumë se 4 orë për të ngarkuar plotësisht baterinë.
Megjithatë, gjërat në teknologji kanë ndryshuar dhe padyshim që sot telefonat modern nuk kanë nevojë të ngarkohen aq shumë, madje janë të pajisur me superngarkues dhe bateri që mund të arrijnë 100% në më pak se një orë. Kjo është edhe arsyeja pse karikimi i celularëve të sotëm inteligjentë gjatë natës është jo vetëm diçka kundërproduktive, por edhe e dëmshme.
Kështu, ekspertët rekomandojnë mbajtjen e baterisë të ngarkuar midis 20-80%, për të zgjatur jetën e saj dhe për të ruajtur aftësinë e saj për të kursyer energjinë. Meqenëse teknologjia e litium-jonit me kalimin e kohës humbet aftësinë për të arritur 100% të ngarkesës, siç e di kushdo që ka një iPhone që monitoron shpesh statusin e baterisë, është më mirë të lëvizni brenda këtij kuadri për të mbrojtur performancën e tij. Shumica e baterive moderne Li-ion brenda telefonave inteligjentë janë projektuar të zgjasin 500 cikle ngarkimi dhe shkarkimi dhe pas kësaj ato fillojnë të mos performojnë më mirë. Kjo do të thotë, ato shkarkohen më shpejt ose kërkojnë më shumë kohë për t’u rimbushur plotësisht.
Për ta përmbledhur me fjalë të thjeshta: Sa më shumë ta ngarkojmë baterinë e telefonit në maksimum, aq më shumë do të humbasë performancën e tij dhe nuk do të jetë më në gjendje të garantojë të njëjtin nivel rimbushjeje. Praktikisht, nëse kur blejmë telefonin, ngarkesa 100% që shohim në ekran në fakt i përgjigjej këtij niveli të baterisë, pas 1-2 vitesh, e njëjta vlerë i përgjigjet rreth 96% të karikimit fillestar. Kjo është arsyeja pse ekspertët thonë se është më mirë të rikarikojmë smartfonin tonë më shpesh ndoshta për 30-40 minuta dhe vetëm kur bateria është nën 20% dhe të ndalojmë kur të arrijë 80%.
Pra, zakoni i mbajtjes së telefonit inteligjent në prizë nuk e ndihmon baterinë. Përkundrazi, rrezikojmë të zgjasim në mënyrë të panevojshme kohën e karikimit, të mbinxehim kapakun e pasmë dhe në raste jashtëzakonisht të rralla, edhe të shpërthejmë, siç ka ndodhur në të kaluarën me Samsung Galaxy Note 7, i cili më vonë u tërhoq nga tregu pikërisht për këtë defekt. Natyrisht, ky nuk është rasti me të gjithë telefonat. Në fakt, disa pajisje kryesore kanë zgjidhje inteligjente karikimi që mund ta ngadalësojnë atë për të shmangur këtë problem.