Pse bisedat me të panjohurit na bëjnë më të lumtur

Nga Joe Keohane

Në një botë plot me dyshime, shumë prej nesh hezitojnë të ndërveprojnë me të panjohurit. Por biseda me njerëz që nuk i kemi takuar kurrë më parë, madje edhe në ndërveprime kalimtare, mund të na bëjë më të mençur dhe më të lumtur.

Ashtu si shumë njerëz që u rritën në Amerikë në vitet 1980, unë u rrita me frikë nga të panjohurit.

‘Rreziku nga të panjohurit’ ishte gjithë bujë në ato kohë. Shqetësimi i prindërve dhe kujdesi i natyrshëm i njerëzimit ndaj të huajve u rritën nga mbulimi i bujshëm i medias dhe rënia e niveleve të besimit shoqëror, të cilat çuan në panik.
Oficerët e policisë, mësuesit, prindërit, udhëheqësit fetarë, politikanët, personalitetet e medias dhe organizatat për mirëqenien e fëmijëve lanë mënjanë dallimet e tyre dhe punuan së bashku për të përhapur mesazhin – se ndërveprimi me një të huaj – të panjohur- mund t’i rrezikojë fëmijët.

Nuk ka dyshim se disa njerëz kanë përvoja traumatike me të panjohur.

Megjithatë, si në atë kohë edhe tani, bazuar në statistika, shumica e krimeve seksuale dhe të dhunshme ndaj fëmijëve (dhe të rriturve) kryhen nga njerëz të njohur të viktimës: të afërmit, fqinjët dhe miqtë e familjes. Rrëmbimet nga anëtarë jo të familjes – të cilat përfshijnë ato ku një fëmijë merret nga dikush i panjohur për ta – përbëjnë vetëm 1% të rasteve të fëmijëve të zhdukur të raportuara në Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar në SHBA.

Megjithatë, a mund të ketë ndikuar kjo mënyrë e të menduarit në ndërveprimet tona në jetën e mëvonshme për shumë prej nesh? A kemi humbur diçka të vlefshme?

Disa shkencëtarë besojnë se t’u mësosh fëmijëve që të gjithë ata që nuk njohin, në botë, janë të rrezikshëm, mund të ketë qenë aktivisht e dëmshme. Sociologu Dietlind Stolle, nga Universiteti McGill në Kanada, argumentoi se dekada të këtij mesazhi mund të kenë dëmtuar aftësinë e një brezi të tërë për t’u besuar njerëzve të tjerë. Kjo është problematike, sepse besimi është çelësi për funksionimin e shumë shoqërive.

Sa mundësi sociale ose ekonomike humbasim duke u frikësuar thjesht nga të panjohurit? Sidomos kur jemi të rritur, humbasim diçka të vlefshme. Humbasim mundësinë e të folurit me të panjohurit. Që rezulton të jetë diçka e shëndetshme, si psikologjikisht, ashtu edhe emocionalisht.

Edhe në transportin publik, bisedame një të panjohur mund ta shndërrojë udhëtimin në diçka jashtëzakonisht të këndshme.

Biseda me të huajt mund t’ju mësojë gjëra, t’ju thellojë, t’ju bëjë një qytetar më të mirë, një mendimtar më të mirë dhe një person më të mirë. Është një mënyrë e mirë për të jetuar. Por është më shumë se kaq. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, pafundësisht komplekse, e polarizuar furishëm, është një mënyrë për të mbijetuar.

Marrja e guximit për të bërë një bisedë me një të huaj mund të duket e ndërlikuar, por s`është e pamundur dhe ia vlen.

*Joe Keohane është një shkrimtar me bazë në Nju Jork dhe autor i ‘Fuqia e të huajve: Përfitimet e lidhjes në një botë të dyshimtë’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *