Njësia Speciale Intervenuese (NjSI), ka mbajtur të mërkurën protestë para objektit të Qeverisë, në shenjë pakënaqësie për shtesat e propozuara të rrezikshmërisë.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se Qeveria ka buxhet të mjaftueshëm dhe se s’ekziston asnjë arsye financiare që të mos paguhen.
“Mua më ka ardhur shumë keq që edhe Serbia ta shohë këtë gjendje dhe të thonë “ja çfarë shteti është Kosova”. Qeveria ka buxhet, po mos të kishte buxhet është krejt e arsyeshme që të arsyetohen. Mirëpo, rrinë e grumbullojnë buxhet mbi 800 milionë euro që nuk i kanë shpenzuar. Kjo është Qeveria me më pak shpenzueshmëri të parasë publike dhe ja ku e sjellin situatën, një njësi elitë të dalë e të protestojë. Ky është cenim i sigurisë së Kosovës. Asnjë arsye financiare s’ekziston që të mos paguhen. Por, fatkeqësisht filozofia e kësaj qeverie, është që të krijojnë kriza”, deklaroi Lekaj.
Kujtojmë që sipas propozimit të Qeverisë, shtesat për këtë NJSI do të jenë rreth 150 euro.
Në protestën e NJSI-së, u shprehën pakënaqësitë lidhur me kategorizimin e rrezikshmërisë në punë si dhe mospërfshirjen në shtesat tjera të parapara me ligj.