Prokurorja vendos: Ky është vendimi për Nuredin Lushtakun dhe dy familjarët e tij

Prokurorja e rastit ka propozuar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës Nuredin Lushtaku dhe dy të afërmve të tij F.L., dhe A.L. Këtë informacion e ka konfirmuar për Gazetën Express, Valon Preteni, zëdhënës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës.

Masa e paraburgimit prej një muaji Lushtakëve u ishte caktuar me 4 korrik, rrjedhimisht kjo masë pritet t’u skadojë nesër.

“Prokurorja ka propozuar vazhdimin e paraburgimit për tre (3) personat që gjenden në paraburgim”, konfirmoi me një përgjigje me shkrim për Gazetën Express zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni.

Ish-deputetit Lushtaku dhe dy familjarëve të tij iu caktua paraburgimi nën dyshimet për kryerjen e veprave penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria pretendon se “të dyshuarit  F.L., A.L., dhe N.L., me datë 02 korrik 2022 rreth orës 23:45 në Skenderaj, kanë sulmuar dy zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Skenderaj me iniciale E.B., dhe M.G., që kanë qenë në detyrë zyrtare, dhe gjatë sulmit ka rezultuar me lëndime të zyrtarëve policorë, dhe njëri zyrtar policor është goditur me predhë të armës në këmbë”.

Plagosja e njërit polic dhe lëndimi i tjetrit dyshohet se motiv kishte shqiptimin e një tikete të trafikut ndaj një familjari të Lushtakut.

Për çka policët u desht të mjekoheshin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në Prishtinë.

Ish-deputeti Lushtaku në seancën dëgjimore kishte deklaruar se ky rast është i montuar kundër tij dhe familjes. /Gazeta Express

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *