Dy avokatët e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Gregory Keohe dhe Dastid Pallaska i janë përgjigjur pretendimeve të Prokurorisë Speciale, e cila i ka kërkuar trupit gjykues që t’i japë vërejtje Pallaskës lidhur me komentet e tij publike që i ka bërë së fundmi në një media kosovare.
Keohe dhe Pallaska kanë akuzuar prokurorinë për manipulim dhe keqinterpretim të këtyre deklaratave, për të cilat kanë thënë se janë në linjë me ato të mbrojtjes së Thaçit.
Sipas tyre, Zyra e Prokurorit të Specializuar “përmes përdorimit të elipsave, ka manipuluar deklaratat e z. Pallaska për të prodhuar një pretendim se z. Pallaska po e akuzon publikisht Prokurorinë se po propagandon të pavërteta, për ta etiketuar Kosovën si shtet kriminal”.
“Transkripti i deklaratave televizive të z. Pallaska, të cilat Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka deponuar pashpjegueshëm në mënyrë konfidenciale, për të mos lejuar që publiku t’i shohë ato, e bën të qartë se z. Pallaska po i referohej qëllimit të Serbisë për ta kriminalizuar Kosovën si shtet, jo Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ky manipulim i provave nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me qëllim për të fabrikuar akuza për shkelje kundër avokatit, duhet të adresohen në mënyrë të përshtatshme nga ana e Trupit Gjykues. Për arsyet e parashtruara më poshtë, z. Pallaska nuk duhet t’i dëmtohet reputacioni për shkak të manipulimit të fjalëve të tij nga Zyra e Prokurorit të Specializuar”.
Prandaj, mbrojtja mohon që komentet e z. Pallaska të ishin të rreme ose mashtruese. Për më tepër, standardi që duhet të plotësojë Kërkesa e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është përcaktuar në Urdhrin e Trupit Gjykues për zhvillimin e procedurës, i cili e bën të qartë se Zyra e Prokurorit të Specializuar duhet të provojë se avokati bëri vërejtje të cilat ishin “mashtruese me qëllim ose me dije”. Këtu, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk bën asnjë përpjekje për të justifikuar pretendimin se z. Pallaska ka bërë deklarata mashtruese në intervistën e tij për RTK Prime, e aq më pak se deklaratat e z. Pallaska ishin mashtruese qëllimisht ose me dije”.
“Z.Pallaska qartësisht ka argumentuar se qëllimi i Serbisë ka qenë që Kosova të shpallet shtet kriminal. Z.Pallaska ka theksuar, se derisa ky mund të mos jetë qëllimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, kjo e fundit duhet të jetë e vëmendshme për objektivin e Serbisë për të minuar shtetësinë e Kosovës. Përsëri, Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka hequr krejt këtë kontekst nëpërmjet elipsave për të bërë fabrikimin se Z.Pallaska e ka akuzuar Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe jo Serbinë, për shpalljen e Kosovës shtet kriminal”.
Ata kanë adresuar edhe deklaratën e avokatit Pallaska se aktakuza në Hagë s’ka të bëjë asgjë me raportin e Dick Martyt, për çka është ankuar Zyra e Prokurorit të Specializuar.
“Përveç kësaj, Kërkesa dështon të identifikojë ndonjë interes të rëndësishëm publik që do të meritonte kufizimin nga ana e Trupit Gjykues të të drejtave kushtetuese të z. Thaçi për proces të drejtë dhe publik si dhe për të drejtën themelore të shprehjes së lirë i garantuar me nenin 40 të Kushtetutës së Kosovës për z. Thaçi dhe avokatit të tij”
Në fund të parashtresës së tyre, ata i kërkojnë Trupit Gjykues ta refuzojë në tërësi kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.