Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurit Genc Palokajt për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulm seksual ndaj 15 vjeçares.
Gazeta Sinjali ka raportuar dje për rastin e ngacmimit seksual të 15-vjeçareje në Gjakovë, e cila dyshohet se u ngacmua që dy vite me radhë nga një 43-vjeçar.
Prokuroria njofton se, rasti ka ndodhur më 1 tetor 2022, në Gjakovë, ku i dyshuari G.P., e ngacmon seksualisht të dëmtuarën e mitur, e cila derisa ishte në shoqëri të dëshmitares së mitur, i dyshuari i ndjek nga pas me biçikletë, dhe tërë kohës të dëmtuarës i ishte drejtuar me fjalët “Hajde të puthi”, “Hajde afrohu”, e fjalë të tjera degraduese dhe poshtëruese, dhe pasi që e dëmtuara e mitur së bashku me dëshmitaren e mitur takojnë babin e kësaj të fundit, në ato momente i dyshuari largohet në drejtim te pa njohur.
Prokurori i rastit ndaj të pandehurit G.P., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, dhe i njëjti me urdhër të prokurorit gjenden në ndalim nga 1 tetori.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.