Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Agron Beka, ka reaguar pas linçimeve që po i bëhen nga eksponentë të pushtetit (VV), duke thënë se kjo ka të bëjë me një veprim ligjor që ka ndërmarrë ndaj “disa zyrtarëve të lartë publikë”.
Egzon Azemi – asambleist i VV-së në Prishtinë, Qëndresa Fazliu – zëdhënëse e Ministrisë së punëve të Jashtme, Elvis Hoxha – aktivist i shquar i VV-së, dhe shumë të tjerë e shpërndan një fotografi në të cilën shfaqej ajo që pretendohet të jetë pasuria e deklaruar e Anëtarit të Këshillit Prokurorial, z. Agron Beka.
Asnjëri prej tyre nuk ka përmendur arsyet pse po sulmon pikërisht z. Beka, dhe pse pikërisht në këtë moment. Por, duket se e gjitha ka të bëjë me ato që dihen prej një rrethi të caktuar të njerëzve të pushtetit.
Pasuria e paluajtshme e z. Beka shkonte në 7 milionë e 135 mijë euro, sipas deklarimit që vetë e kishte bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.
Juristi i mirënjohur dhe ish këshilltari i Kurtit, Durim Berisha, ka komentuar linçimet që po i bëhen z. Beka duke i cilësuar si “shembull klasik të propagandës, shpifjes dhe linçimet.”
Ai thotë se pasuria e z. Beka vjen nga “një prej kompanive më të suksesshme të patundshmërive në Kosovë”.
Por, pse ky sulm?
Beka i ka thënë gazetës Nacionale se ishte një veprim ligjor nga ana e tij e të cilin e ka marrë këto ditë “ndaj disa personave që janë pjesë e grupeve të interesit abuziv” që ka nxitur këto reagime “shantazhuese”.
Sipas Bekës, personat që janë atakuar ligjërisht prej tij “janë zyrtarë të lartë publikë”.
Nëse marrim parasysh që sulmet ndaj Blakajt po bëhen nga ana e eksponentëve të Vetëvendosjes, mund të aludohet se këta zyrtarë të lartë publikë i takojnë edhe kësaj partie politike.
Por, Prokurori ka lënë të nënkuptohet për Nacionalen se grupi të cilin e ka shënjestruar “bashkëpunon mes vete pavarësisht dallimeve partiake.”
“Ju njoftoj që i kam atakuar në të kaluarën, jam duke i atakuar në të sotmen dhe do t’i atakojë ligjërisht edhe në të ardhmen të gjithë ata që abuzojnë sikurse në rastin konkret, ku kemi të bëjmë me një grup të interesit abuziv që bashkëpunon mes vete pavarësisht dallimeve partiake që kanë.” – na tha ai.
Më tej, Beka i ka thënë gazetës Nacionale se “ndaj organizatorëve të shantazhit” do të parashtronte padi për shpifje dhe fyerje në organet e sistemit të drejtësisë.
“Pasuria ime është e deklaruar dhe është publike nga viti 2017 në AKK dhe është krijuar nga puna ime mbi 30 vjeçare, kur fare nuk kam qenë i kyçur në institucione publike/shtetërore,” – u shpreh z. Beka.
Për fat të keq, Beka nuk i ka dhënë detaje të rastit për të cilin ka ndërmarrë veprime ligjore ndaj zyrtarëve të lartë publikë.
Ai është emëruar anëtar i Këshillit Prokurorial në gusht të vitit 2020.