Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund. Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive.
Një rast i tillë i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur së fundmi në Prishtinë, për çka Policia tashmë ka iniciuar rast.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 64-vjeçar, i cili ka deklaruar se vetura e tij, që ishte e parkuar në një rrugë është vjedhur nga hajnat.
I njëjti ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, me shpresën që do ta gjejnë automjetin, që kap vlerën e rreth 6 mijë eurove.
Si rezultat i denoncimit, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve.