Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta qoftë të dhunës nga bashkëshortët apo familjarët e tij, por edhe nga partnerët e tyre me të cilët krijojnë lidhje dashurie. Jo rrallëherë këto raste përfundojnë edhe në Polici, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu e ka pësuar edhe një 24-vjeçar nga Prishtina, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë disa ditë pasi dyshohet se sulmoi fizikisht të dashurën e tij, në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se rasti kishte ndodhur kur çifti u takuan për të kaluar kohë së bashku, pasi viktima kishte ardhur nga Austria në Kosovë. Takimi i tyre përveç që shkoi me debate, eskaloi edhe në dhunë, ashtu që i dyshuari ka goditur disa herë viktimën.
Për të mos mbaruar me kaq, ai po dyshohet se i ka shkaktuar edhe presion asaj, duke ia kërkuar telefonin për t’ia kontrolluar, derisa vajza u detyrua ta paralajmërojë se do ta çojë në Polici për dhunën që ia ka shkaktuar.
Si rezultat i denoncimit të rastit, i dyshuari është arrestuar dhe pas shoqërimit në stacion policor, ka dhënë deklaratë në lidhje me veprën me të cilën ngarkohet. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh.