Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka qëndruar në shtetin e Çekisë dhe ka zhvilluar takime me krerët institucional të këtij shteti, ajo nga takimi me Kryeministrin e Çekisë, Petr Fiala, ka thënë se kanë diskutuar për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në një postim në facebook, Presidentja Osmani ka deklaruar se e falenderon shtetin e Çekisë për mbështetjen ndaj Kosovës.
“Me Kryeministrin e Çekisë, z.Petr Fiala, diskutova rreth urgjencës së përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave gjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së. Ky vendim i vonuar për më shumë se 4 vite, shpresojmë të merret pikërisht në Çeki, vendin simbol të lirisë, i cili gjithnjë qëndroi në përkrahje të popullit të Kosovës.Anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe thellimi i raporteve bilaterale ishin ndër temat e tjera që diskutuam. E falenderoj Kryeministrin Fiala për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës. ” ka shkruar Osmani.