Zgjedhjet në veri të Republikës së Kosovës janë planifikuar të mbahen më 23 prill.
Së fundi po përflitet se mund të ndodh edhe një shtyrje tjetër e zgjedhjeve pasi që Lista Serbe po refuzon të marrë pjesë në zgjedhje.
Nga Presidenca përgjegjësinë për shtyrje ose jo e kanë hedhur tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
“Është përgjegjësi e KQZ-së, ne vetëm e dekretojmë”, thuhet në përgjigjen e Presidencës.
Në anën tjetër, KQZ e ka mohuar se merret me shtyrjen e zgjedhjeve.
Për Front Online, zëdhënësi i këtij institucioni ka thënë se i bëjnë vetëm përgatitjet.
“Dihet që kemi nisë përgatitjet qysh më 9 mars. Ne vetëm përgatitjet i bëjmë”, u shpreh Valmir Elezi.
Ish-kryetarja e KQZ-së: Shpallja dhe shtyrja e zgjedhjeve është kompetencë e Presidentes
Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, në një prononcim për Front Online thotë se si shpallja ashtu edhe shtyrja e zgjedhjeve janë kompetencë e Presidencës.
Daka thotë se KQZ-ja merret vetëm me organizimin e zgjedhjeve ashtu sic e parasheh Ligji për Zgjedhjet.
“KQZ as nuk i shpallë zgjedhjet, as nuk i shtyn, KQZ nuk e ka atë kompetencë, sepse vetëm i organizon zgjedhjet të cilat janë shpallë nga Presidentja. KQZ është organ teknik, organ implementues i cili vetëm zbaton dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve dhe KQZ i organizon ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet e përgjithshme, ndërkaq shpallja apo shtyrja apo çkado qoftë janë kompetencë e Presidentit të Shtetit”, thotë Daka.
Daka thotë se shtyrja e zgjedhjeve bëhet në rast se nuk plotësohen kushtet ligjore.
“Ajo është çështje për të cilën duhet me mendu, praktikisht Presidentja e shtetit, dhe në konsultim me partitë e tjera të cilat marrin pjesë atje. Sepse ajo është çështje e cila tashmë është bërë një praktikë e shtyrjeve të zgjedhjeve dhe në qoftëse nuk plotësohen kushtet ligjore që zgjedhjet me u mbajtë, atëherë për këtë çështje duhet me vendos ajo që i shpallë zgjedhjet, dhe ajo mundet me i shty”, deklaroi.
Por, shtyrja e zgjedhjeve në veri edhe mund të kushtojë në buxhetin e Kosovës.
Daka për Front Online thotë se çdo veprim i KQZ ka kosto financiare.
“Po sepse me sa e di unë KQZ tashmë janë duke u zhvilluar procedurat ashtu siç parasheh ligji, kjo është hera e dytë që i zhvillon procedurat dhe natyrisht që kjo ka kosto, se zhvillohen, shpallen tenderë. Gjithsesi ka kosto, duhet të angazhohen kosto shtesë të cilët pastaj paguhen, pra çdo veprim i KQZ-së ka kosto financiare”, thotë ajo.
Baraliu: Nuk është në rregull të shtyhen zgjedhjet, situata është e qetë
Por se a mund të shtyhen zgjedhjet për së dyti herë në veri të Republikës së Kosovës foli edhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu.
Ai thotë se mund të bëhet shtyrja, por që sipas tij nuk ka asnjë arsye që të shtyhen derisa situata është e qetë.
“Po mund të shtyhen zgjedhjet sepse nuk është hera e parë që po shtyhen, por nuk është as mirë e as në rregull që të shtyhen pa arsye të thella të cilat nga brendia e tyre shpjegojnë se nuk ka kushte për një situatë të caktuar, për një termin të caktuar siç është tani 23 prilli të mbahen zgjedhjet atje, por situata është atje e qetë, kushtet janë relativisht ose minimalisht të paktën të sigurta për t’u mbajtur zgjedhjet”, tha ai.
Baraliu tha se do të ishte në dëm të funksionimit dhe të funksionalizimit të institucioneve komunale në ato katër komuna që zgjedhjet të shtyhen edhe kësaj radhe.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi kryetarët nga radhët e Listës Serbe në komunat në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kanë dhënë dorëheqje në fillim të nëntorit të vitit të kaluar, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar makinat me targa serbe në targa të Kosovës.