Ende nuk ka vendim për një kryeprokuror të ri. Nga presidenca thonë se nuk ka ndonjë zhvillim, derisa nga Gjykata Kushtetuese potencojnë se një lëndë në lidhje me ankesat e kandidatëve për kryeprokuror të shteti, është në shqyrtim. E gjithë kjo kohëzgjatje për një emër të ri në krye të prokrurorisë së shtetit, po vlerësohet si e pajustifikueshme.
Nuk ka asgjë të re nga presidenca në lidhje me udhëheqësinë e prokurorisë së shtetit.
Kështu janë shprehur nga ky institucion në pyetjet e televizionit se çka po ndodh me postin e kryeprokurorit të shtetit.
Këtë pozitë, për më shume se një vit po e mban një ushtrues detyre.
E nga 6 prilli, në presidenca nga Këshilli Prokurorial është dërguar emri i Blerim Isufaj për kryeprokuror të shtetit.
Për këtë propozim, nga presidenca nuk ka as po, as jo.
Fillimisht u tha se pas kundërshtimeve dhe reagimeve të ndërkombëtarëve për procesin e konkursit për kryeprokurorë, presidentja Vjosa Osmani do të takohet me të gjitha palët e interesit, para se ta merrë një vendim përfundimtar.
Kur këto u kryen, dolën ankesat e kandidatëve të tjerë për kryeprokurorë në Kushtetuese, për çka presidenca tha do të presin vendimin e Kushtetueses për të proceduar tutje.
Në proces shqyrtimi është një lëndë.
“Parashtruesi, Shqipdon Fazliu, gjithashtu i është drejtuar Gjykatës me kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës të 23 dhjetorit 2022. Kjo kërkesë, e regjistruar me numër të lëndës KI90/23, është parashtruar në Gjykatë më 28 prill 2023 dhe është në proces të shqyrtimit”, bëhet e ditur nga Gjykata Kushtetuese.
Si të pajustifikueshme, avokati Kadri Osaj, e sheh kohëzgjatjen për marrjen e një vendimi për dekretim të kryeprokurorit të shtetit nga ana e presidencës.
Mungesa e një vendimi, përgjatë kësaj periudhe, u kritikua në vazhdimësi nga ana e shoqërisë civile.